Gecaj thotë se anarkistët e Vetëvendosjes po i festojnë fitoret e Lista Srpska

Këshilltari i Kryeministrit Mustafa, Bajram Gecaj është tallur me Lëvizjen Vetëvendosje duke shprehur se tashmë ata duhet të festojnë fitoret e të tjerëve. “LAV tashmë mund të mbështetet dhe të festojë vetëm “fitoret” e të tjerëve, atyre të cilët më së shumti i kritikojnë, pasi që shihet se nuk ka përkrahje as brenda vendit as te miqtë ndërkombëtarë, së paku jo te miqtë perëndimor të Kosovës!” ka shtuar Gecaj, raporton Gazeta Express.

Ai në deklaratën e tij e ka quajtur Vetëvendosjen një krijesë të çuditshme politike,dhe shton më tej se këtë subjekt politik e karakterizon edhe një imazh i rrejshëm sa i përket përkrahjes popullore.

“Përveç kontradiktave të jashtëzakonshme në qëndrimet politike dhe kauzat e paqëndrueshme, atë e karakterizon edhe një imazh i rrejshëm sa i përket përkrahjes popullore. LAV në fakt, me aparatin e saj propagandistik, ka përkrahje virtuale si pasojë e angazhimit të brigadave të tyre kuqe “virtuale”, por jo edhe mbështetje popullore. Kjo erdhi në shprehje edhe sot, kur pas gjithë atyre manipulimeve mediale, pas argumenteve të rrejshme, pas apeleve dhe organizimeve për javë të tëra, në protestën e saj morën pjesë një numër simbolik i përkrahësve.” tha Bajram Gecaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta