Daut Haradinaj: Partneriteti me amerikanët s’fuqizohet duke dëmtuar veten

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se sot deputetët e Kuvendit të Kosovës ishin në nivelin e përgjegjësive të tyre kushtetuese, duke bërë që demarkacioni i kufirit me Malin e Zi të tërhiqet nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka deklaruar në Info Magazine të Klan Kosovës se kjo nuk ishte fitore e asnjë krahu politik, por e vendit, pasi u parandalua falja e mbi 8 mijë hektarëve fqinjit

“Është një vetëdijësim i mjaftueshëm i deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Kjo nuk është fitore e asnjë subjekti politik, por e vendit”, ka thënë Haradinaj.

“Mendoj që deputetë në kuvend kanë qenë mbi 100 dhe nëse do të votonin për, demarkacioni do të kalonte, kështu që numri i deputetëve prezent nuk ka qenë problem. Por deputetët e kanë kuptuar qartë që kjo marrëveshje është e dëmshme se ajo duhet të kthehet në pikën zero”, është shprehur ai.

“Pushteti ka kohë që ka deklaruar se i ka votat, ndërsa sot u arsyetua se po kërkon koncesione Lista Serbe. Ne nuk mund t’i japim besim një marrëveshje që i heq territorit të Kosovës mbi 8500 hektarë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj më tutje ka komentuar deklaratat e presidentit Hashim Thaci, që ka deklaruar se po rrezikohet izolimi i vendit, duke theksuar se vet Thaci është e keqja e Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Presidenti i Kosovës është e keqja e vendit sepse ai e ka nënshkruar atë marrëveshje me Malin e Zi. Nënshkrimi i tij ka qenë izolim i vendit. E di edhe vet Thaci që të gjitha shtetet e ish Jugosllavisë nuk e kanë përfunduar demarkimin e kufirit. Nuk është kjo pengesë për liberalizim e vizave”, është shprehur Haradinaj.

Deputeti dukagjinas ka bërë të qartë, për bindjen e tij, se ky kundërshtim nuk i prish raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne jemi partnerë të popullit amerikan, por nuk mendoj se mund ta fuqizojmë partneritetin duke dëmtuar veten”, ka thënë ai.

“Sot tema e demarkacionit e ka tejkaluar një subjekt politik, e ka tejkaluar opozitën. Kjo është cështje të cilën duhet ta zgjidhin deputetët e Kuvendit të Kosovës. Të gjithë e kanë obligim që ta garantojnë sovranitetin e Kosovës”, ka theksuar Haradinaj.

“Protesta gjithmonë e ka një qëllim: sensibilizimin e opinionit. Ne kemi protestuar tash e 18 muaj në të gjitha format. Jemi të bindur që protestat tona dhe kundërshtimi ynë permanent e kanë bërë të qartë që kjo marrëveshje është e keqe. Protesta e sotme ka treguar që qytetarët e kanë ngritur zërin”, ka deklaruar Haradinaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta