AAK: Beteja për rrëzimin e Demarkacionit duhet të ndodh në Kuvend

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, beson se marrëveshja e Demarkacionit me Malin e zi, merr epilog me votimin në Kuvend, prandaj edhe beteja për rrëzimin e kësaj marrëveshjeje, sot, sipas tyre, duhet të zhvillohet aty.

Në një njoftim për media, ky subjekt thotë se kundërshtimi politik e qytetar, për tash e një vit, duke përfshirë protestat, peticionin e mbi 200 mijë qytetarëve, gazin në Kuvend dhe plot aktivitete opozitare e qytetare, e kanë dhënë efektin e vet dhe sot një numër i mjaftueshëm i deputetëve e kanë kuptuar se marrëveshja është gabim, dhe prandaj vota e tyre do të jetë kundër.

“Në këto moment vendimtare, përpara votimit të një çështjeje jetike për Kosovën, të gjithë duhet të jemi të matur e të përgjegjshëm, dhe të mos biem pre e presioneve apo provokimeve, por të mos e ndryshojmë votën kundër.

Demarkacioni duhet të rrëzohet me votën e të gjithë deputetëve, pa dallim partie politike, rajoni, apo etnie. Vota kundër është votë për Kosovën si një dhe e pandashme”, thuhet ndër tjerash.

Liderët e shumicës, sipas AAK-së, duhet ta kuptojnë, se shumica e deputetëve dhe e popullit të Kosovës, nuk e mbështesin marrëveshjen e tyre! Kjo, siç thekson ky subjekt është demokracia, prandaj çdo përpjekje e tyre për të prodhuar rezultat tjetër të këtij votimi, është përpjekje për ta futur vendin në qorrsokak, dhe gjithë përgjegjësia do të jetë e tyre.

Temat
LajmeVend

Të afërta