VV: Aktivistët u sulmuan nga të afërmit e deputetit të LDK-së, Sali Morina

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se aktivistët e saj në Malishevë janë sulmuar nga të afërm të deputetit të LDK-së, Sali Morina.

Vetëvendosje me anë të një komunikate për media ka thënë se dy aktivistët e saj, Bekim Gashi dhe Liman Hoti, u sulmuan teksa po shpërndanin fletushka dhe po vendosnin posterë që bëjnë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 1 shtatorit.

Sipas VV-së, të dy aktivistët janë në Qendrën Emergjente të Malishevës, shkruan lajmi.net

“Ky klan kriminelësh që po qeveris me vendin, tash ka filluar ta shfaqë brutalitetin e tij edhe fizikisht, nga paniku për fundin që po iu vjen. Sulmet e tilla nuk do të frikësojnë aktivistët tanë, dhe rezistenca e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ndaj bandave kriminale në pushtet veçse do të fuqizohet”.

“Ne mbajmë përgjegjës deputetin Morina për këtë sulm, dhe ftojmë organet e rendit dhe drejtësisë që të merën me hetimin e këtij rasti të kriminelëve të pushtetit, në koordinim me një deputet që është vegël dhe shërbyes i klanit Pronto. Si dhe, i bëjmë me dije deputetit Morina se do të mbajë përgjegjësi historike për qëndrimin e tij ndaj demarkacionit me Malin e Zi”, thuhet në komunikatë.

Temat
LajmeVend

Të afërta