Ja sa mund të dënohen me burg aktivistët e arrestuar të Vetëvendosjes

Sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 375, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet. Nëse të akuzuarit konfirmohet se kanë përdorur armë zjarri, atëherë masa e dënimit shtohet, sepse neni 375, pika 1, thotë se “ Kushdo që përdorë armë apo materie plasëse në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët apo materiet plasëse të tilla, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet”.

Nëse policia dhe prokuroria kanë prova që dëshmojnë se të akuzuarit janë fajtorë për aktin e sulmit me raketë antitank M80 Zolja ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, atëherë këta të pandehur mund të akuzohen si kryerësit e një akti terrorist nga Kodi Penal i Kosovës.

Shprehimisht, sipas nenit 135: “1. Terrorizëm, veprim terrorist apo vepër e terrorizmit – kryerja e një ose më shumë veprave penale të mëposhtme me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë, të detyrimit të padrejtë të një organi publik, qeverisë apo organizatës ndërkombëtare për të kryer ose për të mos kryer ndonjë veprim, apo që seriozisht të destabilizojë ose të shkatërrojë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës, të një shteti tjetër apo të një organizate ndërkombëtare”.

Në këtë rast, sulmi me këtë armë të rëndë të zjarrit vlerësohet se është bërë me qëllimin e detyrimit të institucionit më të lartë ligjvënës të Kosovës dhe mund të kualifikohet si akt terrorist. Ndërsa, neni 136 për kryerjen e veprës terroriste, pika 1, thotë se kushdo që kryen një vepër terroriste dënohet me jo më pak se pesë (5) vjet burgim. Por, Kodi Penal parashikon penalitete edhe më të rënda për ata që kanë qenë në dijeni e nuk kanë paralajmëruar, që kanë strehuar apo ndihmuar kryerësit e aktit terrorist. Neni 137, pika 3, thotë se “Kushdo që e ndihmon kryesin apo bashkëpjesëmarrësin pas kryerjes së një vepre terroriste, duke i siguruar fonde ose burime të tjera materiale personave të tillë, dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.”

Temat
LajmeVend

Të afërta