“E vrava me sëpatë, e godita në kokë se më ngriti nervat, më pas shkova dhe bëra denoncim në polici”

Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Veli Dervishin, 73-vjeçarin që vrau me sëpatë gruan e tij në Golem, gjatë kohës që ishin me pushime.
“Kishim konflikte të vazhdueshme, ajo tentoi të më qëllonte me sëpatë, nuk kisha ndërmend ta vrisja”, mësohet të ketë thënë i moshuari në gjykatë.

Veli Dervishi vrau 68-vjeçaren Shazivare Dervishi dhe u dorëzua tek Posta Policore e Golemit, ku deklaroi se veproi në gjaknxehtësi e sipër, pasi e shoqja i kishte kërkuar sqarime, llogari pse kishte qëndruar vonë jashtë.

Gjatë marrjes në pyetje në polici, Dervishi ka pranuar autorësinë e krimit, ndërsa është shprehur se gjithçka ka ndodhur nga xhelozia dhe se ishte i bindur që e shoqja e kishte tradhtuar.

“Gruaja e kishte mbushur kupën. Ajo më ka tradhtuar gjithë jetën, ndërsa më bënte skena xhelozie. Nuk mund ta duroja dot më, pasi më ngrinte nervat dhe më acaronte sa herë më pyeste se ku isha e me kë isha. Kështu bënte gjithmonë, ndaj më erdhi në majë të hundës”, është shprehur Veli Dervishi.

“Mbrëmjen e së dielës, unë kisha dalë e po bëja xhiro bregut të detit. Shëtita derisa u errësua. Kur u ktheva në shtëpi, gruaja më ngriti nervat. Filloi të më pyeste: Ku ishe? Me kë ishe? Kë takove? M’i ngriti nervat në kulm, ndaj i thashë ta qepte gojën se e kishte mbushur kupën, por ajo nuk po pushonte. I thashë të shkonte pak në depo se kisha lënë diçka atje. Kur shkoi atje, e vrava me sëpatë. E godita në kokë. Më pas shkova dhe bëra denoncim në polici. Ajo më tradhtonte, dhe për këtë nuk kisha dyshime. Më ka tradhtuar që kur ishim të rinj e deri tani”- deklaroi 73-vjeçari.

Ngjarja e rëndë ndodhi tre ditë më parë, në Golem, ku 73-vjeçari Veli Dervishi goditi me sëpatë në kokë bashkëshorten e tij, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas ai u vetëdorëzua në polici.

Temat
LajmeRajon

Të afërta