The Guardian: OKB ka paguar miliona dollarë në llogari të regjimit sirian

OKB-ja ka paguar dhjetëra miliona dollarë për kontrata në llogari të njerëzve dhe grupeve të afërta me regjimin sirian, shkruan të martën gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) ka paguar dhjetëra miliona dollarë për kontrata në llogari të njerëzve dhe grupeve të afërta me regjimin sirian, shkruan të martën gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gazeta shkruan se kontratat kanë qenë pjesë e programit të OKB-së për ndihmë të Sirisë dhe kanë shkuar në llogari të kompanive të cilat u janë nënshtruar sanksioneve të BE-së dhe SHBA-ve, ndërsa një pjesë tjetër ka shkuar në llogari të departamenteve qeveritare dhe organizatave bamirëse të cilat drejtohen nga njerëz të afërt me presidentin e regjimit sirian, Bashar al-Assad.

Kritikuesit e misionit të OKB-së thanë për të përditshmen britanike se ndihma ka qenë e fokusuar në rajonet e kontrolluara nga qeveria që në masë të madhe kanë ndihmuar regjimin të mbahet në këmbë.

Një zëdhënës i OKB-së i tha gazetës në fjalë se prioritet i ndihmës ka qenë të depërtojë sa më shumë të jetë e mundur te civilët e pambrojtur, por që të realizohet kjo, sipas tij, nevojitej bashkëpunimi me organizatat që kanë patur mbështetjen e regjimit.

“Mundësitë tona në Siri janë të limituara nga ambienti me një pasiguri të lartë ku gjetja e kompanive dhe partnerëve të cilët do të operojnë në zonat nën rrethim është shumë sfiduese”, tha ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta