Shqipëria i shpëton Kosovës

Faza finale e procesit të bërjes së Përfaqësueses së Kosovës nuk i ka shkaktuar dëme Kombëtares së Shqipërisë.

Shqipëria e ka kaluar siç është më së miri frikën shumëvjeçare që e kishte nga Kosova. Futbollistët kryesorë të saj, me prejardhje nga Kosova, nuk e ndërruan skuadrën. Ata përfundimisht vendosën të vazhdojnë me Kombëtaren shqiptare, duke mos e shfrytëzuar derën e hapur të Përfaqësueses kosovare. Alban Meha, Amir Rrahmani, Herolind Shala e Milot Rashica janë të vetmit që kaluan tek Kosova, mungesën e të cilëve nuk do ta ndiejë ekipi kuqezi, shkruan sot Gazeta Zëri

Faza finale e procesit të bërjes së Përfaqësueses së Kosovës nuk i ka shkaktuar dëme Kombëtares së Shqipërisë. Kjo e fundit me vite të tëra është frikësuar se mund të braktiset nga futbollistët e mëdhenj kosovarë posa Kosova të marrë pjesë në kampanjën e parë kualifikuese.

Por, diçka e tillë nuk ka ndodhur dhe se Shqipëria do të vazhdojë të ndihmohet nga futbollistët e mëdhenj kosovarë edhe në eliminatoret e Botërorit “Rusia 2018”. Është përzgjedhësi i kuqezinjve, Gianni de Biasi, ai i cili i hoqi dilemat kur të hënën e publikoi listën për ndeshjen e 5 shtatorit që kuqezinjtë do ta zhvillojnë në Shkodër kundër Maqedonisë, në start të kampanjës kualifikuese.

Në listën e De Biasit figurojnë emrat e futbollistëve të rëndësishëm me prejardhje nga Kosova, si: Etrit Berisha, Mërgim Mavraj, Frederik Veseli, Amir Abrashi, Burim Kukeli, Migjen Basha, Ermir Lenjani, Taulant Xhaka e Shkëlzen Gashi. Kurse Arlind Ajetin nuk e ka ftuar pasi nuk ishte i gatshëm për shkaqe shëndetësore.

Nga Shqipëria drejt Kosovës kanë shkuar vetëm lojtarët që De Biasi nuk llogariste shumë në ta, si: Alban Meha, Herolind Shala, Amir Rrahmani. Humbja më e madhe për kuqezinjtë është Milot Rashica, i cili kaloi te ekipi i Albert Bunjakit. Rashica nuk ishte ftuar në “Euro 2016” nga De Biasi, i cili e ka thumbuar vushtrriasin.

“Nuk kam parë eksod në Kombëtare. Janë larguar ata që nuk kishin hapësira dhe kanë shkuar te Kosova për më shumë shanse. Meha dhe Rama për shembull nuk ishin pjesë e Kombëtares prej kohësh”, ka thënë De Biasi, i cili ka pohuar se nuk është penduar që nuk e ka ftuar Rashicën në Kampionatin Evropian. “Edhe po të kthehesha pas në kohë, Rashica do të qëndronte në shtëpi. Rezultatet treguan që unë kisha të drejtë për zgjedhjen time. Me ne do të luajë kush ka dëshirë të jetë pjesë e skuadrës”, ka potencuar italiani.

Sa i përket Kosovës, De Biasi insiston se përzgjedhësi kosovar Albert Bunjaki nuk ka bërë asgjë në dëm të skuadrës së tij. “Nuk kam folur prej kohësh me trajnerin e Kosovës. Në këndvështrimin tim, ai nuk ka bërë asgjë të çuditshme”, është shprehur De Biasi.

De Biasi nuk e “vajton” Rashicën, por Canën

Derisa kalimin e Milot Rashicës nga Shqipëria në Kosovë nuk e konsideron humbje për skuadrën kuqezi e as Alban Mehën, Herolind Shalën apo Amir Rrahmanin, Gianni de Biasi e ka “vajtuar” Lorik Canën. Ikona e futbollit shqiptar e deklaroi pensionimin nga Kombëtarja shqiptare menjëherë pas Kampionatit Evropian.“Cana nuk do të jetë më pjesë e ekipit. Ai ka qenë një lider i vërtetë dhe e falënderojmë për atë që i ka dhënë Kombëtares”, ka deklaruar përzgjedhësi i kuqezinjve.

Vështirë për Shqipërinë

Në kampanjën eliminatore për Botërorin “Rusia 2018” Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë në një grup të vështirë, në të cilin përpos Maqedonisë, Izraelit dhe Lihtenshtajnit do të garojnë edhe dy fuqitë e mëdha: Spanja e Italia. Andaj, kualifikimi në Botëror nuk është mision i lehtë për kuqezinjtë. “Grupi ynë është shumë i vështirë pasi kemi Italinë, Spanjën, Izraelin që janë skuadra shumë të forta, por edhe me Maqedoninë duhet të japim 101-përqindëshin. ‘Euro 2016’ duhet të na shërbejë si eksperiencë”, ka thënë De Biasi.

“Objektiv kemi të bëjmë maksimumin e mundshëm. Kjo është kërkesa e Federatës ndaj meje”, ka potencuar strategu italian.

Lista e Shqipërisë:

Portierë: Etrit Berisha, Orges Shehi, Alban Hoxha, Thoma Strakosha.

Mbrojtës: Mërgim Mavraj, Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti, Ansi Agolli, Frederik Veseli, Naser Aliji.

Mesfushorë: Amir Abrashi, Burim Kukeli, Migjen Basha, Ledian Memushaj, Taulant Xhaka, Odise Roshi, Ergys Kaçe, Ermir Lenjani, Andi Lila, Jahmir Hyka.

Sulmues: Armando Sadiku, Sokol Cikalleshi, Bekim Balaj, Shkëlzen Gashi, Rei Manaj.

Temat
RajonSport

Të afërta