MTI nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancimin të Parkut Industrial në Lipjan

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, vizitoi sot Komunën e Lipjanit. Ajo u prit nga kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti.

Me këtë rast, ministrja Bajrami dhe kryetari Ahmeti nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit të Parkut Industrial i cili do të ndërtohet në Qylagë të Komunës së Lipjanit, thuhet në një kumtesë nga MTI.

Ky Park Industrial është licencuar këtë vit, dhe kjo shënon fazën e parë të investimeve në këtë projekt të rëndësishëm, shkruan lajmi.net.

Në fjalën e saj, ministrja Bajrami theksoi se financimi i ndërtimit të Parqeve Industriale është pjesë e strategjisë së Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, si komponentë e rëndësishme e planit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmirësimin e kushteve për të bërit biznes për kompanitë nga vendi si dhe për investitorët e huaj.

Vlera e parashikuar e investimit për vitin 2016 është 282,000.00 euro, ku prej kësaj shume MTI kontribuon me 242,000.00 euro ndërsa Komuna e Lipjanit me 40,000.00 euro.

Ministrja Bajrami premtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me përkushtim punën në krijimin e një mjedisi sa më të përshtatshëm për afarizëm në vendin tonë duke ua mundësuar bizneseve që të rrisin performansën e tyre në të mirë të krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së ekonomisë së vendit tonë. /Lajmi.net/

Temat
LajmeVend

Të afërta