Granit Xhaka me shokë nuk mund ta harrojnë ngjarjen e qershorit të vitit 2013.
Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, dhe shumë emra të njohur të futbollit shqiptar që bëjnë karrierë prej vitesh nëpër Evropë kaherë kanë qenë shumë të dashur te bashkëkombësit e tyre në Kosovë.
Kosovarët kishin ruajtur dashurinë për ta edhe kur nuk iu kishin bashkuar Shqipërisë, me shpresën se një ditë do t’i bashkohen Kosovës.
Por, yjet tanë thyen zemrat e shumë kosovarëve, kur vendosën të vazhdojnë për shtetet tjera, duke mos e shfrytëzuar mundësinë që t’i bashkoheshin Kosovës, ku do të mund të konsideroheshin si heronj.
Zëri shkruan se dashurinë e kosovarëve për ta, yjet më së miri e patën parë në qershor të vitit 2013. Në atë kohë, kur futbolli kosovar kishte mbet në mëshirën e shpresës, Remzi Ejupi dhe “Eurokoha” e tij e kishin organizuar një spektakël futbolli ndërmjet FC Prishtinës dhe ekipit të përbërë me yje.
Stadiumi i Prishtinës ishte i vogël për t’i zënë shikuesit që donin t’i shihnin nga afër djemtë me të cilët krenoheshin kaherë, e te të cilët kishin shpresa se një ditë do ta përfaqësojnë Kosovën e shumëvuajtur nga izolimi në arenën ndërkombëtare.

















