Agolli nuk është bërë kapiten, ja si do të vendoset për shiritin e Shqipërisë

Tërheqja e Lorik Canës nga Kombëtarja ka rikthyer çështjen e shiritit të kapitenit te kuqezinjtë. Për liderin e ri të Shqipërisë ka disa dilema, kjo edhe për faktin se gjatë ndeshjeve miqësore para Europianit vetë De Biasi nuk ka qenë i bindur totalisht për lojtarin që do të mbajë shiritin.

Fillimisht u mendua se do të jetë Elseid Hysaj kapiteni i ri kuqezi, por kur Cana mungoi në ndeshjet ndaj Francës dhe Rumanisë në Europian, shiritin e mori mbrojtësi me më shumë ndeshje, Ansi Agolli. I pyetur dje nga “Panorama Sport” se kush do të jetë kapiteni i ri i Kombëtares, trajneri De Biazi nuk dha një përgjigje konkrete.

“Do ta vendosim gjatë ditëve të grumbullimit para miqësores me Marokun”, u shpreh italiani i pankinës. Gjithsesi, gazeta mëson se kjo çështje pritet të zgjidhet me një votim në skuadër. Kjo duket se është mënyra më e mirë për momentin, për të mos prishur ekuilibrat, edhe pse burime pranë stafit teknik tregojnë për gazetën se të preferuarit e De Biazit janë katër lojtarë.

Bëhet fjalë për mbrojtësit Ansi Agolli, Elseid Hysaj dhe Mërgim Mavraj, si dhe mesfushorin Ledian Memushaj. Sipas të gjitha gjasave, kapiteni i ri kuqezi do të jetë njëri mes Agollit dhe Hysajt.

Kapiteni i ri pritet të mësohet që sot, kur dhe do të zhvillohet stërvitja e fundit në prag të ndeshjes me Marokun. Nëse do të merret parasysh vjetërsia në Kombëtare, e padiskutueshme është se i takon Agollit nga grupi aktual i lojtarëve.

Temat
RajonSport

Të afërta