Vetëvendosje: PDK-ja e SHIK-u po e çojnë LDK-në drejt humnerës

Lidhja Demokratike e Kosovës është akuzuar ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje. Kjo e fundit thotë se LDK-ja po shkon drejt humnerës me PDK-në dhe SHIK-un.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ende nuk është deklaruar në lidhje me përgjimet e klanit Pronto, me shpejtësi drite paska reaguar ndaj deputetit Driton Çaushi, i cili ia përmendi Isa Mustafës 70 dosjet që tash e sa kohë i ka në Prokurori. Dosje këto, që LDK-në e futën në koalicion me ata që i akuzonte për vrasjen e aktivistëve të saj”, thuhet në reagimin e VV-së.

Tutje kjo parti vlerëson se LDK-ja është në panik të humbjes së elektoratit, ndërkaq kryetarin e saj Isa Mustafa, e quan shërbtor të zellshëm të sistemit komunist jugosllav dhe antikombëtar.

“LDK, e cila mori në mbrojtje Adem Grabovcin për punësimet e jashtëligjshme, qenka shërbyer me listën e PDK’së për “punësimet” e Shpend Ahmetit, të cilën e përgënjeshtruan vetë eksponentë të kësaj të fundit. Teksa në anën tjetër, në Komunë të Prishtinës dhe borde të ndërmarrjeve vazhdojnë punën familjarë të zyrtarëve të LDK’së e militantë të saj, të punësuar gjatë keqqeverisjes 14 vjeçare të LDK’së dhe klanit të Hamitëve”, vazhdon reagimi.

“Kjo parti me një kryetar pakurrizor, e cila tradhëtoi elektorartin e saj, duke i hyrë nën sqetull PDK’së dhe ShIK’ut, vazhdon të përtypë shpifje e broçkulla të ndryshme, dhe merr mund të flasë për prespektivën evropiane dhe miqësinë e Kosovës me ndërkombëtarët, teksa nuk bëzajti kur Hashim Thaçi tallej me po këta.

E kapur në njërën anë nga Hashim Thaçi, e në anën tjetër nga Kadri Veseli, të prirë nga degraduesi i Prishtinës, Isa Mustafa, LDK po ecë sigurt drejt humnerës. Dhe, kjo padyshim është ndihma më e mirë për prespektivën e Kosovës”, përfundon reagimi i VV-së.

Temat
LajmeVend

Të afërta