Mustafa i pavendosur për takim me liderët, në konakun e Kelmendit

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ende është në mëdyshje nëse do të marrë pjesë në takim për të diskutuar për demarkacionin të ftuar nga deputeti Ramiz Kelmendi, në rezidencën e tij në Kuçishtë të Rugovës.

Deputeti Kelmendi dhe drejtuesi i “Elkos Group” ka ftuar të mërkurën në vilën e tij të gjitha subjektet politike për të diskutuar rreth kësaj çështjeje.

Por derisa kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, e ka konfirmuar pjesmarrjen, kryeministri Mustafa që është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ende nuk ka dhënë përgjigje pozitive përfundimtare.

Kjo pasi deputeti Kelmendi deklaroi se Mustafa, pas ceremonisë së projektit ‘Borea’ në Pejë, me të cilin darkoi, në parim e ka pranuar ftesën e tij, por është zotuar që fillimisht ta shikojë agjendën për ta konfirmuar definitivisht pjesëmarrjen në takim.

“Përgjigja e tij(Kryeministrit) ishte një po, por meqenëse ishte një kohë e vonshme e këtij takimi mbet që gjatë ditës së nesërme të informohet mbi agjendën që ka Kryeministri dhe sigurisht që do konsultohet me partnerin e koalicionit në mënyrë që kjo të shkojë si komplet,” tha Kelmendi.

Nga ana tjetër, kallxo.com citon kryeministrin të ketë thënë se është i interesuar të marrë pjesë nëpër takime ku ulen tensionet e krijuara.

“Tash jam i interesuar të marr pjesë në çdo takim i cili do t’i kontribuonte që ne t’i ulim tensionet, që të racionalizojmë vendimmarrjet, që të argumentojmë çdo pëllëmbë të tokës në ketë pjesë dhe me të cilin të gjithë qytetarët tanë do pajtohen,” është shprehur Mustafa.

Nga ana tjetër, deputeti Ramiz Kelmendi ka deklaruar se ftesës së tij për takim në Kuçishtë, deri tash i janë përgjigjur pozitivisht liderët e PDK-së, AAK-së dhe Nismës.

Temat
LajmeVend

Të afërta