Ambasada amerikane deklarohet dhe këshillon: Dhuna rrezikon përparimet e deritashme

Ambasada amerikane në Prishtinë përmes një deklarate, ka dënuar dhunën e manifestuar në kohë të fundit në Kosovë.

Ambasada e SHBA-së deklaron se e dënon pa asnjë rezervë përdorimin e dhunës për arritjen e qëllimeve politike në Kosovë.

“Dhunë të cilën e kemi parë ditëve të fundit. Thërrasim të gjithë udhëheqësit e Kosovës që të bëjnë të njëjtën”.

Më tej Ambasada amerikane deklaron se demokracia, ofron hapësirë për mospajtim dhe madje edhe për protestë.

“Por, dhuna ndaj policisë, mediumeve, pjesëtarëve të qeverisë dhe qytetarëve të tjerë në asnjë rrethanë nuk është një shprehje e pranueshme e pikëpamjeve politike apo mënyrë për t’u marrë me ankesat nga e kaluara, pa marrë parasysh sa të dhimbshme janë ato”.

Sipas ambasadës, Policia e Kosovës luajti një rol të rëndësishëm dje pasi në pakësimin e dhunës dhe mbajtjen e sundimit të ligjit, dhe i përgëzon ata për shërbimin e vazhdueshëm që i bëjnë të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Në Kosovë mbesin të pazgjidhura çështje serioze, por zgjidhja e tyre nuk afrohet pas këtyre protestave të dhunshme. Shumë punë është bërë për të normalizuar marrëdhëniet dhe për të krijuar një shtet bashkëkohor dhe demokratik. Sidoqoftë, dhuna e vazhdueshme politike rrezikon zhbërjen e pjesës së madhe të këtij përparimi”.

Ambasada amerikane shprehet se Kosova mund të presë lëvizje drejtë integrimit evro-atlantik vetëm nëse të gjitha palët ripërkushtohen ndaj dialogut paqësor, demokracisë, dhe sundimit të ligjit.

Temat
LajmeVend

Të afërta