Ymeri: Kriminelët e Serbisë nuk duhet të ecin të lirë nëpër rrugë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka dënuar dhunën e ushtruar nga Policia e Kosovës ndaj protestuesve në Mushtisht. Ai ka deklaruar se kriminelët e policisë dhe ushtrisë së Serbisë nuk duhet të ecin të lirë nëpër rrugë.

Ymeri ka thënë se serbët kanë të drejt të kthehen në pronat e tyre në Kosovë, por fillimisht duhet të shihet se kur e kanë fituar këtë pronë dhe si, transmeton lajmi.net

“A është kjo pronësi rezultat i kolonizimit, apo është përfituar pa ndërhyrje koloniale”, ka deklaruar Ymeri.

Ai ka shtuar se kthimi i serbëve në Kosovë, nuk duhet të instrumentalizohet nga shteti i Serbisë.

Postimi i plotë i Ymerit:

E dënoj fuqishëm intervenimin brutal të Policisë së Kosovës ndaj banorëve të Mushtishtit dhe të Gjakovës të organizuar në protestë. Banorët e Mushtishtit dhe të Gjakovës kanë plotësisht të drejtë në shqetësimet që po i ngrenë përmes protestës. Kriminelët e luftës të policisë e ushtrisë së Serbisë që vranë, masakruarn, dhunuan e shkatërruan jetën e pasurinë e tyre nuk duhet të ecin të lirë nëpër rrugë. Ndërkohë që kthimi i serbëve të Kosovës për të jetuar në vendin e tyre nuk bën të instrumentalizohet nga Serbia për qëllimet e veta koloniale.

Serbët e Kosovës duhet të kthehen të jetojnë në vendlindjen e tyre, në pronën e tyre, në fshatin e qytetin e Kosovës ku kanë jetuar më parë. Kjo është e drejtë universale e mirënjohur ndërkombëtarisht që secili e gëzon pa dallim kombësie a feje. Këtu nuk ka dyshim. Por duhet të shihet se kur e kanë fituar këtë pronë dhe si. A është kjo pronësi rezultat i kolonizimit, apo është përfituar pa ndërhyrje koloniale.

Ne as nuk kemi pasur e as nuk kemi problem me serbët, por kemi pasur e kemi problem me Serbinë. Ky kthim i serbëve nuk bën të udhëhiqet nga Serbia, dhe nën kushtet e saj. Banorët e Mushtishtit janë të shqetësuar se kthimi i serbëve në pjesë të caktuara të fshatit ka për qëllim ndarjen e një pjese të Mushtishtit për ta zgjeruar kështu kufirin e ‘Zajednicës’. Ngjashëm me kërkesën për komunë të Prilluzhës. Serbia do t’i kthejë serbët aty ku i leverdis planeve koloniale të saj, për t’i shndërruar kështu të kthyerit në instrument politik që ia gërmon bazën Republikës së Kosovës. Serbët duhet të kthehen si qytetarë të barabartë e lojalë ndaj Republikës e jo si subjekte të strukturave paralele të ‘Zajednicës’.

Temat
LajmeVend

Të afërta