Ultimatumi i VV-së për RTK-në: Deri më 1 shtator të bëhet intervista me Ymerin

Reagimin e Shalës Krasniqi e quan shpifje ndërsa fton menaxhmentin e RTK-së që deri më 1 shtator ta ftojë në intervistë kryetarin e Vetëvendosjes Visar Ymeri.

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me një deklaratë të drejtorit të përgjithshëm të RTK-së Mentor Shala.

Shala ka reaguar sot në lidhje me konferencën e VV-së ku zyrtarë të kësaj Lëvizje kanë akuzuar RTK-në se është bërë zëdhënëse e Qeverisë.

Por Shala në reagimin e tij ka deklaruar se RTL nuk është zëdhënëse as e VV-së dhe as e pushtetit.

Ndaj kësaj deklarate të Shalës VV reagon nëpërmjet zëdhënësit Frashër Krasniqi.

Reagimin e Shalës Krasniqi e quan shpifje ndërsa fton menaxhmentin e RTK-së që deri më 1 shtator ta ftojë në intervistë kryetarin e Vetëvendosjes Visar Ymeri.

Reagim ndaj deklaratës së Mentor Shalës

Mbi reagimin plot shpifje të menaxhmentit të RTK-së.

– Më 19 gusht 2016, Xhymret Veliu personalisht më ka siguruar që një intervistë, njësoj me intervistat që janë bërë me Kadri Veselin dhe Isa Mustafën, mund të bëhet edhe me kryetarin e VETËVENDOSJE!-s, z. Visar Ymeri.

– Më 22 gusht 2016, Ridvan Berisha personalisht ma ka rikonfirmuar këtë gjë duke e caktuar intervistën për ditën e premte (sot).

– Më 26 gusht 2016, unë u njoftova që menaxhmenti i RTK-së ka marrë vendim që për shkak të kritikave nga VETËVENDOSJE! të mos lejojë realizimin e intervistës.

– Krejt në fund, pak minuta para se të mbahet konferenca ku ne bëmë publik këtë linçim që po na e bën RTK-ja, na u tha që “do të mund ta mbajmë intervistën por vetëm nëse e bëjmë përballje të z. Ymeri me disa analistë që i përcaktojmë ne (RTK-ja)”. Kjo përveç se ishte bërë shumë vonë, ishte një KUSHT që nuk i ishte vënë asnjërit prej përfaqësuesve politikë me të cilët u realizuan intervista në 2-3 muajt e fundit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! përherë ka qenë e gatshme që të dal para analistëve nëpër debate – dhe këtë e kemi dëshmuar me qindra emisione të formateve të tilla – por ky KUSHT që nuk i ishte vënë përfaqësuesve të pushtetit, ishte tërësisht i padrejtë dhe i papranueshëm për ne.

Menaxhmenti i RTK-së duhet të shkarkohet dhe kjo është mënyra e vetme që ky medium të çlirohet nga kapja prej klanit pronto.

Ne i bëjmë thirrje RTK-së që deri më 1 shtator, të tërhiqet nga ky vendim absurd dhe i padrejtë, dhe ta ftojë kryetarin Visar Ymeri, ashtu siç kishte ftuar edhe kryetarët e dy subjekteve në pushtet (të cilët, për më tepër, i kishte ftuar nga dy herë secilin, vetëm në muajin e fundit).

Temat
LajmeVend

Të afërta