Reagon RTK: Përfaqësuesit e VV-së refuzuan formatin e debatit me Visar Ymerin

Edhe një herë, ftojmë të gjitha grupet e forcat politike që ta largojnë RTK-në nga agjendat politike, çfarëdo qofshin ato, duke hequr dorë nga gjuha e urrejtjes dhe ofendimet, sepse kjo tashmë paraqet edhe rrezik e kërcënim serioz për jetët e të punësuarve në RTK, si dhe pronën dhe asetet e saj.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka reaguar pas akuzuarve të Lëvizjes Vetëvendosje se kanë anuluar intervistën e kryetarit të tyre, Visar Ymeri.

Sipas RTK-së, është kërkuar që intervista e planifikuar me Ymerin të realizohet në formatin tashmë të njohur “përballë analistëve”, me qëllim që tematizimi eventual i RTK të jetë profesionalisht sa më korrekt dhe i paanshëm, që RTK dhe stafi i saj editorial të mos bëhen pjesë e debatit eventual politik.

Ky është reagimi i plotë i RTK-së ndaj akuzave të Vetëvendosjes:

Lidhur më konferencën për media të Lëvizjes Vetëvendosje ku sërish u sulmua RTK me gjuhën e urrejtjes, shpifjes dhe fyerjes, menaxhmenti i RTK konsideron të nevojshme që të sqaroj si në vijim:

RTK, si institucion ligjor i Republikës së Kosovës, ku definohet edhe si institucion i rëndësisë së veçantë, ka kërkuar ditë më parë që Lëvizja Vetëvendosje të heq dorë nga gjuha e urrejtjes, sidomos pas rastit të hedhjes së granatës së dorës. Dhe, në vazhdën e kësaj, pasi që publiku është në dijeni se kjo gjuhë nuk është ndërruar, është kërkuar që intervista e planifikuar me z. Visar Ymeri të realizohet në formatin tashmë të njohur “përballë analistëve”, me qëllim që tematizimi eventual i RTK të jetë profesionalisht sa më korrekt dhe i paanshëm, që RTK dhe stafi i saj editorial të mos bëhen pjesë e debatit eventual politik.

Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje kanë refuzuar këtë format televiziv, pa dhënë ndonjë shpjegim. Kjo, pra është e vërteta e plotë lidhur më rastin.

Njoftojmë audiencën, se RTK nuk ka, nuk duhet, dhe në fakt nuk guxon që ligjërisht të ketë qëndrim të vetin politik e partiak në çështjet e ngritura dhe se roli i saj është të raportojë, të informojë në mënyrë të gjithanshme duke përfshirë të gjitha palët relevante.

RTK, Lëvizjen Vetëvendosje e trajton editorialisht njëjtë më partitë tjera të Republikës së Kosovës, duke i dhënë gjithë hapësirën e nevojshme që audienca të njoftohet në mënyrë të saktë dhe korrekte me qëndrimet e saj. Kryetari i LVV, z. Visar Ymeri ka pasur, ka dhe do të ketë gjitha mundësitë që në programe e RTK të jenë prezentë qëndrimet e tij dhe të LVV-së. Të njëjtat të drejta i kanë edhe përfaqesues të tjerë politik kosovarë dhe çfarëdo presioni e kërcënimi, verbal ose fizik, është i paligjshëm dhe i papranueshëm.

Edhe një herë, ftojmë të gjitha grupet e forcat politike që ta largojnë RTK-në nga agjendat politike, çfarëdo qofshin ato, duke hequr dorë nga gjuha e urrejtjes dhe ofendimet, sepse kjo tashmë paraqet edhe rrezik e kërcënim serioz për jetët e të punësuarve në RTK, si dhe pronën dhe asetet e saj.

Sigurojmë audiencën se Radio Televizioni i Kosovës do të vazhdojë të mbulojë ngjarjet dhe zhvillimet, sikur edhe deri tash, duke prezantuar të gjithë protagonistët, palët dhe këndvështrimet, me çka besojmë se i kontribuojmë, jo vetëm misionit ligjor e profesional, por edhe vetë lirisë dhe demokracisë në vendin tonë. Natyrisht që RTK nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë zëdhënës i Qeverisë, por nuk është dhe nuk do të jetë kurrë as zëdhënëse e Lëvizje Vetëvendosje.

Temat
LajmeVend

Të afërta