Haradinaj: Do të shkojmë në Kuvend për ta kundërshtuar me votë demarkacionin

Ka mbetur edhe një javë që Kuvendi i Kosovës ta sjellë në votim Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj...

Ka mbetur edhe një javë që Kuvendi i Kosovës ta sjellë në votim Marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për Telegrafin ka folur rreth kësaj çështje, si dhe për protestën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe zgjedhjet eventuale në vend.

Haradinaj është shprehur i bindur se çështja e kufirit me Malin e Zi nuk do të kalojë në Kuvend, dhe se shumica e deputetëve do të votojnë kundër.

“Aleanca, kur është larguar nga Kuvendi, është larguar për shkak të këtyre temave: Asociacionit të Komunave Serbe – versionin e të cilës për fat Gjykata e gjeti në disharmoni me Kushtetutën; dhe versionit të gabuar të demarkacionit, i cili do të bie. Ne do të jemi në Kuvend për këto tema, kurdo që diskutohen. Do të jemi më 1 shtator, së bashku me deputetët tjerë, që me votën “JO” të bie ky version i gabuar e të nis mundësia e zgjidhjes së kësaj çështjeje me Malin e Zi”, tha ai.

Kreu i AAK-së po ashtu ka theksuar se mos ratifikimi i kësaj marrëveshje do ta lironte Kosovën nga një problem i madh.

“Se kjo marrëveshje është e gabuar tashmë është sqaruar. Tryeza e 3 gushtit e dha një ndihmë të madhe që të mësohet e vërteta rreth vijës të demarkacionit me Malin e Zi. Mendoj se me të gjitha këto qartësime dhe këtë gjendje, ky version do të bie, pra Kuvendi nuk do ta votojë”, është shprehur Haradinaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta