Rrëfimi i gazetares shqiptare në Itali, mes frikës për djalin dhe profesionin

Veç profesionit gazetarët kanë dhe familjen e tyre. Alba Kepi është korrespondentja e Ora News e cila jeton prej vitesh në Itali, por dhe nëna e dy djemve, njëri 13 vjeç.

Orët e natës së të martës, 23 gusht kanë qenë vërtet të frikshme për të. Djali i saj kishte shkuar në Norcia komuna më e afërt me Amatricen në Itali, qendra e tërmetit.

Në fillim ndihen lëkundjet e forta të tërmetit, më pas mëson se qendra e tërmetit ka qenë shumë pranë zonës ku ndodhet i biri dhe telefonon për të mësuar si është.

Komunikimi në telefon me djalin e saj e ka qetësuar disi por zemra e nënës nuk qetësohet derisa të prekë dhe përqafojë vetë djalin e saj. Prandaj është nisur menjëherë me makinë drejt Norcias për të kryer detyrën e gazetarit por dhe të nënës.

“Kam udhëtuar gjithë natën me makinë drejt kësaj komune. Forcat zjarrfikëse dhe policia po na devijonin shpesh rrugën pasi ka dëmtime të rrugëve.

Ai është në gjëndje të mirë por unë ende nuk e kam parë. Më tregoi se gjatë natës ka pasur një zhurmë të tmerrshme, janë thyer orenditë e hotelit”. Pas disa orësh gazetarja Alba Kepi mbërriti në hotelin ku ndodhej djali për ta përqafuar dhe tregon se dhoma e tij kishte pësuar 18 krisje muri.

Ndërsa gjatë gjithë ditës ajo raporton për redaksinë e Ora News, se çfarë po ndodh në zonat e prekura nga tërmeti i rëndë.

Temat
BotëLajme

Të afërta