Pas hetimeve një vjecare, në dy aksione të ndara, me 16 gusht dhe 22 gusht 2016, policia në Mitrovicën e Jugut, ka arrestuar katër persona të dyshuar dhe ka identifikuar një viktimë të trafikimit me qenie njerëzore .
Katër personat e dyshuar janë vënë nën pranga nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “trafikim me njerëz , shërbime seksuale të viktimës së trafikimit , mbajtje në pronësi kontroll të armës pa leje dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të dyshuari B.K dhe N.M, tashmë të arrestuar, me qëllim përfitimi personal e kanë detyruar viktimën të kryente shërbime seksuale me persona të ndryshëm me pagesë, kurse i dyshuari A.R është arrestuar për veprën penale shërbime seksuale të viktimës së trafikimit, ndërsa i dyshuari S.J, pas hetimeve te përbashkëta me Inspektoratin Policor, i njëjti është arrestuar nga këta te fundit për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Njësitet relevante policore me urdhër të Gjykatës Themelore Prishtine kanë bastisur edhe dy lokacione pronë e të dyshuarit N.M, me qëllim të mbledhjes së evidencave të nevojshme për rastin ku gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar, katër fishekë të kalibrit 9 mm, pajisje për pastrimin e armës, tri fletore me shënime në lokalin e të dyshuarit dhe një telefon mobil.
Lidhur me rastin është njoftuar mbrojtësi i viktimave dhe në prezencë të tij është intervistuar viktima, e cila është trajtuar sipas procedurave standarde për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave.
Po ashtu për rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit pran Prokurorisë Themelore – Departamenti për Krime të Rënda në Prishtinë, dhe me vendim të tij të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.