Kërcënimet e kryeministrit Isa Mustafa, njëherësh kryetar i LDK-së, drejtuar deputetëve të partisë se tij për çështjen e demarkacionit, nuk pritet t’i zmbrapsin ata në qëndrimin kundërshtues përkitazi më këtë marrëveshje.
Të kontaktuar nga Tribuna Channel, deputetët e kësaj partie thonë se është për keqardhje kur një lider i partisë vihet në këtë pozicion për të kërcënuar deputetët e partisë së tij.
Madje, linçimi eventual i deputetëve, sipas tyre mund të çojë në shkatërrimin e LDK-së.
Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi, i cili në vazhdimësi e ka kundërshtuar marrëveshjen, thotë se tashmë është bërë imun ndaj këtyre kërcënimeve. Ato nuk i bëjnë shumë përshtypje.
Ky kërcënim i Mustafës, sipas tij, vetëm sa do ta forcojë bindjen e këtyre deputetëve për të kundërshtuar këtë marrëveshje.
“Deputeti ka vendime të pavarura të vetat, dhe nuk është mirë askush të përzihet në to. Secili jemi të vetëdijshëm për punën dhe obligimet që kemi marr, dhe besoj se secili deputetë do të marr vendimin që është në të mirë të qytetarëve”, tha ai.
I pyetur nëse i druhet vendimeve të organeve të partisë për përjashtim nga ky subjekt, ai thotë se mund ta largojnë nga instancat udhëheqëse, por jo edhe nga të qenit anëtar i LDK-së.
Edhe deputeti Adem Salihaj, i cili ka dal kundër versionit aktual të Demarkacioni thotë se do të votojë vetëm sipas vullnetit të tij, pavarësisht, siç shprehet ai, gjithë kërcënimet e vrazhda që po vijnë.
Ai thotë se asnjë e mirë nuk to t’i vij asnjë partie politike, e as LDK-së, nga linçimi eventual i deputetëve të saj, sepse, elektorati do ta ndëshkojë rëndë atë kur të vijën zgjedhjet.
Kjo qasje, sipas tij, mund ta qoj LDK-në në shkatërrim, siç i ka ndodhur një herë.
“Është e vërtetë se partia politike mund t’i ndëshkojë deputetët e saj, sepse siç e dini, partitë në Kosovë nuk kanë demokraci të brendshme dhe dominohen në tërësi nga lideri, por liderët e partive nuk duhet të harrojnë asnjëherë se edhe elektorati mund t’i dënojë ato kur të vijnë zgjedhjet”, thotë Salihaj.
Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se deputetët e LDK-së të cilët nuk e votojnë demarkacionin nuk e përfaqësojnë qëndrimin e kësaj partie.
Madje, Mustafa ka thënë se i takon organeve drejtuese të partisë se çfarë vendimesh do të marrin ndaj atyre deputetëve.