Qeveria: Sulmi ndaj RTK-së, sulm ndaj fjalës së lirë

Qeveria e Kosovës ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj objektit të Radio Televizionit të Kosovës.

Në reagimin e Qeverisë thuhet se ky akt është sulm ndaj fjalës së lirë dhe të gjitha medieve në Kosovë.

Po ashtu ekzekutivi u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin këtë rast, përcjell lajmi.net.

Reagimi i plotë i Qeverisë së Kosovës:

Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmin me mjet shpërthyes ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), të kryer mbrëmë në rrethana ende të pasqaruara.

Qeveria e Kosovë konsideron se ky është sulm ndaj fjalës së lirë dhe ndaj të gjitha mediave në Kosovë.

Qeveria e Kosovës fton organet kompetente shtetërore që të zbardhin këtë rast dhe të vënë para drejtësisë kryesit dhe nxitësit e këtij akti të shëmtuar.

Qeveria e Kosovës, po ashtu, i bën thirrje të gjithë përfaqësuesve dhe subjekteve politike që në diskursin e tyre publik të mos etiketojnë, sulmojnë dhe linçojnë mediat publike dhe private, në funksion të respektimit dhe të mbrojtjes së fjalës së lirë.

Temat
LajmeVend

Të afërta