Bordi i Fondit Zhvillimor dhuron 500,000 euro për projektet në veri të Kosovës

Rreth 500,000 euro janë dhënë për dy projekte në komunën e Leposaviqit nga Bordi Menaxhues i Fondit Zhvillimor në takimit e tij të djeshëm.

Mbi 60,000 euro janë dhënë për blerjen e pajisjeve për kopshtin e fëmijëve në Leshak. Për të njëjtin qëllim janë dhënë më herët 140,000 euro nga ky Fond. Vetë kopshti është ndërtuar me ndihmën e programit të Instrumentit të BE-së për Asistencë Para Anëtarësimit (IPA).

Përveç kësaj, komuna ka marrë 415,000 euro për ndërtimin dhe riparimin e rrugëve.

Bordi Menaxhues po ashtu aprovoi koncept dokumentet për tri projekte që mbështesin: rindërtimin e sistemit të ujërave të zeza në Zvecan, ndërtimin e një qendre të rinjsh në Zubin Potok dhe ndërtimin e strehimores sociale në Leposaviq, në vlerë gjithsej 1 milion euro.

Ky ishte takimi i fundit i Bordit Menaxhues të Fondit Zhvillimor i kryesuar nga Samuel Zhbogar, Përfaqësuesi Special i BE-ë në Kosovë, i cili do të largohet nga Kosova për të marrë një pozitë të re që nga 1 shtatori 2016. Anëtarët e Bordit falënderuan Z. Zhbogar për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm viteve të fundit dhe i uruan atij suksese në të ardhmen.

Fondi Zhvillimor gjeneron të hyrat e tij nga taksat e mbledhura në vendkalimet kufitare Jarinje/Rudnicë dhe Tabavije/Brnjak. Të hyrat e mbledhura deri më sot numërojnë deri në 10.6 milion euro dhe janë shfrytëzuar për të mbështetur zhvillimin socio-ekonomik të Kosovës veriore. Deri më sot, 7.5 milion euro janë dhënë nga Fondi Zhvillimor për katër komunat veriore.

Funksionimi i këtij Fondi vendoset nga Bordi Menaxhues, i përbërë nga Samuel Zhbogar, Kryesues i Bordit, në kapacitetin e tij si Përfaqësues Special i BE-së në Kosovë, Ministri i Financave në Kosovë, Avdullah Hoti, në emër të autoriteteve kosovare, dhe Danijela Zubac në emër të komunitetit serb.

Temat
LajmeVend

Të afërta