AAK dhe Nisma, pa qëndrime konkrete për 1 shtator

Dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ende nuk janë qartësuar lidhur me veprimet e tyre më 1 shtator, ditën kur pritet të futet për votim në Kuvend demarkcioni për Malin e Zi.

Krejt çka dihet deri më tani për dy partitë opozitare që janë bashkuar në një koalicion është vota kundër demarkacionit dhe mos pjesëmarrja në protesta.

Muharrem Nitaj nga AAK dhe Valdete Bajrami nga Nisma kanë bërë të ditur se ata do të marrin pjesë në seancën e 1 shtatorit dhe se vota e tyre do të jetë kundër. Por kanë hedhur poshtë mundësinë e protestës ashtu siç është paralajmëruar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Zëdhënësi i AAK-së tha për KosovaPress se partia e Ramush Haradinajt do të përdorë të gjitha mundësitë e saj që të parandalojë ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Me këtë ai ka nënkuptuar se do të punojnë që të ndikojnë tek deputetët e pozitës që mos ta votojnë demarkacionin.

“Ne do të bëjmë të pa mundurën jo vetëm që ta japim votën kudër ratifikimit të kësaj marrëveshje por edhe të ushtrojmë eventualisht edhe ndikimin sa të jetë e mundur te deputetët tjerë që edhe ata mos ta mbështesin dhe mos të ndikojnë që një marrëveshje shumë e dëmshme për Kosovën të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës. Kjo do të ishte skandaloze sikur të ndodhte “, tha Nitaj, përmes telefonit.

Nitaj ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes në protesta të kësaj partie duke shtuar se ka kaluar koha që kjo çështje të trajtohet në rrugë.

“Atëherë kur ka qenë e nevojshme AAK ka qenë pjesë e protestave. Qoftë përmes bllokut të përbashkët apo të ndarë dikur më vonë edhe si e vetme edhe kur nuk është mbështetur nga partitë tjera. Ne vlerësojmë që aktualisht beteja për ndalimin e kësaj marrëveshje nuk bëhet në rrugë por ne besojmë që beteja për mos ratifikimin e kësaj marrëveshje tani ka mbërri në fazën kur ajo duhet të zhvillohet në Kuvendin e Kosovës. Kosova ka nevojë që të mos e ratifikojë këtë marrëveshje me votë”, tha Nitaj.

Ndërsa deputetja nga Nisma Valdete Bajrami , tha se ende nuk kanë vendosur për veprimet që do deputetët e kësaj partie do të ndërmarrin më 1 shtator.

“Sa i përket veprimeve të cilat pritet t’i ndërmarrim ne si Nisma në Kuvend apo jashtë Kuvendit i ngelen organeve të Nismës e cila konkretisht Kryesia e Nismës pritet të mblidhet gjatë kësaj jave. Cilindo vendim që do e merr Kryesia ne do ta zbatojmë brenda në Kuvend. ..Mirëpo mos të kenë atë qetësi pushteti që e kanë ndoshta vetëm një forcë politike e cila është duke i kundërshtuar një forcë opozitare . Në këtë rast jemi edhe Nisma edhe AAK-ja , fuqishëm për me kundërshtuae këtë marrëveshje. Andaj mos të mendojnë që e kanë vetëm Vetëvendosjen të vetme në këtë pikë . …. Besoj që koha të cilën e ka thirrë Vetëvendosja është shumë e shkurtër dhe nuk është momenti që nuk mundesh me i pas njerëzit dhe gjithë aktivistet dhe anëtarësinë pasi është kohë pushimi. Pikërisht edhe Qeveria po e shfrytëzon këtë kohë duke e ditur që qytetarët ndos hta e kanë vëmendjen pak më të tërhequr prej politikës….Ne kemi qenë vazhdimisht në kontakt me qytetarët dhe ata shpresoj që edhe pa ftesë të Vetëvendosjes ose të Nismës, AAK-së do të jenë në sheshe për të kundërshtuar këtë marrëveshje ”, tha Bajrami.

Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar protestë ditën kur në Kuvend pritet të votohet demarkacioni me Malin e Zi.

Partia e Visar Ymerit së bashku me AAK-në dhe Nismën para një viti ishin bashkuar në një bllok opozitar kundër Qeverisë PDK-LDK.

Opozita ishte bashkuar me qëllim që të pengonin dy marrëveshjet atë për Demarkacionin dhe Asosacionin e Komunave Serbe.

Ky bashkim opozitar nuk vazhdoi gjatë pasi që blloku u ça pasi që liderët e partive nuk mundën të gjejnë kompromis mes vete.

Tash AAK dhe Nisma kanë formuar një koalicion opozitar ndërsa VV vepron e vetme.

Temat
LajmeVend

Të afërta