Haradinaj-Thaçit: Lëri deputetët rahat

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së Daut Haradinaj i është drejtuar presidentit Hashim Thaçi.

Në një komunikatë për media Haradinaj citohet të ketë thënë se “mashtrimet e Presidentit nuk kanë të ndalur, siç duket e ka kthyer në kauzë personale marrëveshjen skandaloze me Malin e Zi. Ai për ta ‘pshtu ftyrën e vet’ po mundohet që më çdo kusht dhe pa kursyer forma ta mbulojë këtë të keqe që vet e nënshkroi”.

Por sipas Haradinajt deputetët e kanë kuptuar se kjo marrëveshje e dëmton Kosovën në territor me mbi 8.8 mijë hektarë dhe si e tillë do kundërshtohet nga ata.

“Prandaj z. President kur don me e kuptu që ju nuk keni mandat me iu përzi vullnetit të deputetëve por përkundrazi e keni për detyrë me ju raportu atyre. Kjo që ju po e bëni është antikushtetuese pavarësisht qellimeve tuja. Ti e ke kry punën tënde dhe e kemi parë se si e ke kry. Tash leri deputetët rahat”, citon komunikata deputetin Haradinaj.

Temat
LajmeVend

Të afërta