Portieri i Partizanit: Për këtë arsye ndodhi rrahja në aeroport

Alban Hoxha, ka shpjeguar ngjarjen që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas kthimit të ekipit nga Rusia.

Portieri i Partizanit, Alban Hoxha, ka shpjeguar ngjarjen që ndodhi në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas kthimit të ekipit nga Rusia, ku luajtën ndeshjen e parë të play-off të Ligës së Europës.

Hoxha u përplas me disa persona të pranishëm në aeroport, por ka shpjeguar se nuk kishte qenë ai objektivi i këtyre individëve të cilët më pas u ndalën nga policia.

“Nuk i njihja personat që na sulmuan, por pashë që përpara se të më ofendonin mua ishin duke u konfrontuar me dy lojtarë të tjerë të ekipit tonë. Në momentin që iu afrova nisën ta bënin një gjë të tillë edhe me mua. Iu ktheva për shkak se po krijonin rrëmujë të kotë.

Në atë moment ndërhynë forcat e policisë. Shefi i rendit të aeroportit më pyeti më pas nëse do të bëja denoncim për ngjarjen, por mendova se nuk ia vlente më, edhe për shkak se njëri prej agresorëve ishte në gjendje të dehur. U mbyll aty për aty.

A ishin tifozë të Partizanit ata që na sulmuan? Nuk di ta them me bindje. Nuk e di vërtetë, sepse nuk është se shfaqën ndonjë pakënaqësi në lidhje me ndeshjen e djeshme”, deklaroi për “newsport.al” kapiteni i Partizanit.

Ndërkaq, ai dha edhe versionin e tij për paraqitjen e dobët të ndeshjes me Krasnodarin.

“Kundër Krasnodarit nuk ishim në ditën tonë më të mirë, kjo edhe për shkak se skuadra kundërshtare kishte cilësi të jashtëzakonshme. Futbolli është i tillë. Në sfidën e kthimit do kërkojmë të shlyejmë disi këtë paraqitje negative. A do largohem nga Partizani? Nuk e di. Ndoshta edhe qëndroj. Por me këtë çështje po merret klubi”, tha Hoxha.

Temat
RajonSport

Të afërta