Ymeri thërret protestë më 1 shtator kundër demarkacionit, thotë se do të ketë edhe trimëri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka paralajmëruar sot protestë gjithëpopullore më 1 shtator, si kundërshtim të ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Në një konferencë për media, Ymeri ka thënë se “Kosovën nuk e këmbejmë me asgjë”, raporton lajmi.net.

Sipas tij, me demarkacion Kosova humb bjeshkë.

Ai thotë se të gjitha dokumentet, ekspertët dhe të tjerët dëshmojnë se marrëveshja për demarkacionin dëmton Kosovën.

“Ne nuk ndalemi. Edhe më trimëri do ketë. Protestë gjithëpopullore më 1 shtator”, ka thënë ai.

Ymeri thotë se s’kanë pasur takim me partitë tjera opozitare, por që thotë se ka nevojë për bashkëpunim me secilin.

Brenda sallës së Kuvendit, Ymeri tha se do shihet më 1 shtator se si do protestohet. Por as jashtë nuk do ndalen, sipas tij, në të gjitha mënyrat.

Ymeri tha se dhunë ka përdorur policia gjithmonë e nuk di a do bëjnë prapë, duke i ftuar qytetarët të bashkohen me ta dhe të përdorin të gjitha mjetet, siç tha ai, demokratike.

Temat
LajmeVend

Të afërta