Mërgimtari nga Suhareka tregon si u arrestua dhe maltretua në Serbi

Xhavit Kolgeci nga Suhareka, tregon se si ishte arrestuar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar Kroaci-Serbi, derisa po kthehej nga Sllovenia në Kosovë.

Kolgeci, i cili edhe më parë ishte në burgjet serbe, si i burgosur politik, në një intervistë për TherandaPost, rrëfen detajet e arrestimit, por edhe të maltretimeve që i janë bërë.

“Nga Sllovenia isha tu udhëtu për Kosovë. Në kufirin Kroaci – Serbi, patëm kontroll kufitare. Ma nijke zemra me ju than të drejtën që diçka s’po shkon. Për herë të parë i kom ra nëpër Serbi edhe që dikur isha i burgosur politik nga ata, kisha njëfarë pasigurie. Duke vazhduar kontrolli, hyri njëri dhe pyeti kush është Kolgeci këtu. U paraqita e m’tha: Ti je në kërkim, duhet me ardh me ne, e autobusit i thanë ti vazhdo e ky mbetet këtu me ne”, tregon Kolegeci.

Ai tregon se nuk janë dhënë sqarime gjatë kohës sa e kanë mbajtur nën arrest.

“Në një dhomë më kontrolluan dhe të zhveshur më kanë lënë deri në mëngjes nga ora 01:00. Ju pengoi sidomos policisë tatuazhi i shqiponjës në krah që e kisha, ku edhe gjatë kontrollit të mëvonshëm më godisnin disa goditje të lehta derisa intervenoi kufitari dhe ia ndaloi të më godit. Më janë drejtuar tanë kohën me ofendime, terrorist, duke më sharë, etj., derisa sa më transportuan në mëngjes për Nish’, thotë ai.

Tregon se me një kombis e kanë transportuar deri në Nish.

“Deri në ora 14:00 nuk e kam pa dritën me sy, i mbyllur në kombi dhe në një stacion të policisë. Atje një gjykatëse nga Nishi më tha se pas pak ju do të vini në gjykatë. Atje më sqaroi se ju nuk iu keni përgjigj thirrjeve tona për vepra që jeni i dënuar. Ia sqarova se më 2002 jam liruar nga burgu me Kryqin e Kuq. Më tregoi se jam i ngarkuar edhe me vepra tjera penale për terrorizëm gjatë luftës dhe se nuk ju ki përgjigj ftesës me ardh nga Kosova për në Nish. I tregova se ftesa nuk kam marrë dhe i tregova se ftesat nuk vinë në Suharekë e në Vraniq nga Serbia. Megjithëse ajo këmbëngulte se në Suharekë vinë ftesat, dhe gjatë diskutimit ndërkohë e vërejta se dikush ka intervenuar nga Kosova, dhe nuk kaloi shumë kohë dhe më liruan”, rrëfen Kolgeci.

Ai tregon se në gjykatë ka insistuar se nuk ka marrë thirrje. “Më pas intervenuan këta të Kosovës edhe u lirova. Tërë kohën jam kanë në stres, por pasi më njoftuan se po lirohem gjithçka pat përfundu’, tregon ai.

Kolgeci u bën thirrje të burgosurve politikë, që kanë vuajtur dënime atje, të mos udhëtojnë nëpër Serbi, sepse mund t’iu ndodh me i arrestu. “Unë udhëtova vetëm një herë dhe u arrestova. S’ka siguri nga ata”.

Temat
LajmeVend

Të afërta