Hysaj nuk “guxon” të transferohet te kjo ligë evropiane

Italian Soccer Serie A - Milan vs Napoli - Milano - San Siro Stadium - 04/10/2015 Elseid Hysaj - napoli - fotografo: Fabrizio Forte

Elseid Hysaj do të vazhdojë kontratën me Napolin por me një klauzolë interesante.

Elseid Hysaj do të rinovojë me Napolin dhe është arritur akordi për gjithçka. Firma në kontratë është vetëm çështje procedure, mirëpo mediat italiane kanë zbuluar një detaj interesant. Bëhet fjalë për një klauzolë ekstra që do të ketë në kontratën e re të shqiptarit.

Presidenti i napolitanëve ka vendosur që në politikat e klubit të ketë një detaj interesant që do të shoqërojë thuajse kontratat e të gjithë futbollistëve. Duke parë “tradhtinë” e Gonzalo Higuainit që iku te Juventus, numri një i Napolit kërkon që të shmangë diçka të tillë në të ardhmen. Elseid Hysaj është i pari futbollist që në kontratën e tij të re do të ketë një klauzolë që e pengon të transferohet në një ekip tjetër të Serisë A.

Ai do të ketë mundësinë të transferohet vetëm jashtë Italisë, duke u paguar klauzola prej 50 milionë eurosh që do të jetë e përcaktuar në kontratën e tij. Kjo do të jetë diçka që do të ndiqet me lojtarët e Napolit edhe në të ardhmen, mirëpo shqiptari është i pari që do të ketë diçka të tillë, përcjell “Panorama Sport”.

“Sky Sport” ka bërë me dije se kjo klauzolë do të startojë aplikimin te Hysaj dhe gjithashtu te Zielinski, i cili është në proces rinovimi me skuadrën e drejtuar nga Sarri. Hysaj ka bërë një sezon fantastik me Napolin në vitin e tij të parë në këtë skuadër, duke fituar postin e titullarit të padiskutueshëm dhe duke u bërë futbollisti me më shumë minuta aktivizim, në kampionatin italian për sezonin që lamë pas.

Firma në kontratë mes shqiptarit dhe drejtuesve të Napolit është vetëm çështje ditësh, pasi tashmë janë përcaktuar edhe detajet financiare për pagën që do të përfitojë shqiptari si dhe për shifrën që do të duhet për të zgjidhur këtë kontratë, nëse Hysaj do të ketë ofertë nga skuadra të tjera.

Temat
Sport

Të afërta