Ky është fajtori për largimin e Rashicës nga Shqipëria (FOTO)

Astrit Hafizi, ish selektori i Kombëtares shqiptare, e bën përgjegjës Gianni de Biasin për ikjen e Milot Rashicës, Alban Mehës dhe Herolind Shalës nga ekipi kuqezi.

Sipas ish-trajnerit të Kombëtares, strategjia që ka ndjekur Gianni de Biasi ka detyruar talente si Milot Rashica që të largohen.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Hafizi flet për momentin delikat të kuqezinjve, por jo vetëm.

Zoti Hafizi, nga Kombëtarja nisën largimet e para të lojtarëve me origjinë nga Kosova. Ju bën përshtypje fakti që të parët ikin emra si Rashica, Meha apo Shala?

Mendoj se së pari këto vendime vijnë prej qejfmbetjes së këtyre lojtarëve për mospërfshirjen në Europianin e Francës. Është një moment që pasi ata nuk u afruan nga De Biasi, marrin një vendim të menjëhershëm për t’iu bashkuar Kosovës.

Të them të drejtën, më vjen shumë keq për Rashicën. Nëse unë do të isha trajner i Kombëtares, këtë lojtar do ta kisha marrë patjetër në Europian. Ai duhej promovuar si një i ri, duke qenë se në kampionatin holandez ka shkëlqyer.

Gjithsesi, këto janë vendimet e trajnerit, por edhe për Mehën mund të them se De Biasi duhet ta kishte marrë më tepër në konsideratë. Ai dha shkëndija të mira, por nuk e di pse u harrua. Ndërsa për Shalën, mendoj se ka bërë zgjedhjen e duhur, pasi mund të ndihet më mirë te Kosova dhe mbi të gjitha aty mund të jetë titullar.

De Biasi ka thënë se nuk mban përgjegjësi për rastin e Rashicës. Si e komentoni?

Tani është një moment që edhe De Biasi ndihet keq dhe nuk i vjen mirë që Rashica është larguar. Mendoj se nuk e ka pritur mirë këtë largim dhe tashmë kërkon ta kthejë situatën duke u justifikuar.

Mirëpo, të jem realist, në Europian nuk ishin të gjithë lojtarët që kishin kontribuar, pasi pati edhe emra që nuk kishin luajtur fare. De Biasit i vjen keq që nuk do ta ketë në Botëror, por nëse do të mendonte më shumë për perspektivën, duhet ta kishte marrë në Europian.

Mendoni se gjërat nuk janë menaxhuar ashtu si duhet për të mbajtur këta lojtarë apo ishte diçka e pritshme?

Shikoni, filozofia e De Biazit është e qartë për këdo tashmë dhe dihet mënyra se si vepron ky trajner për të arritur rezultatin. Ai çdo gjë e lidh me lojën e disiplinuar, taktike dhe natyrisht mbrojtëse. Nëse merrte Rashicën, jam i bindur që do ta justifikonte, por me atë mënyrë loje që bën Shqipëria, De Biazi ka menduar se nuk i hyn në punë ky lojtar. Ne shënuam vetëm një gol, kuptohet shumë mirë filozofia.

Tashmë që edhe lojtarë të tjerë mund të ikin, a e fut kjo situatë Shqipërinë në një kolaps?

Së pari duhet të kuptojmë tashmë se nuk mund të flitet më për një ekip Kombëtar. Janë dy skuadra: Shqipëria dhe Kosova. Nëse bëjmë një llogari të thjeshtë, Shqipëria nuk bën dot një formacion, pasi i mbeten vetëm 8-9 lojtarë.

Mendoj se do të kemi probleme, pasi nuk mund të krijohet një ekip Kombëtar me 11 lojtarë. Besoj se jemi shumë të vonuar dhe për një gjë të tillë duhet të ishte menduar më shpejt, sepse dihej që një ditë do të vinte edhe kjo situatë. Menduam se kapëm qiellin me dorë, por po shoh që gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet.

Çfarë duhet të bëjë FSHF, mos ndoshta është momenti të ndryshohet totalisht strategjia?

Nuk pres ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm. Unë mendoj se strategjinë sërish do ta bëjë De Biazi dhe sa të jetë në krye të pankinës, ai do të mendojë për veten e tij, në kuptimin që asgjë të mos dalë jashtë kornizave. Pra, të veprohet vetëm ashtu siç mendon ai. Nuk mendoj se De Biazi po mendon për të ardhmen e Shqipërisë, duke u futur aq thellë.

Ju prisni që të ketë ndikim negativ para eliminatoreve të Botërorit?

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se do të kemi shumë vështirësi, pasi edhe kundërshtarët do të na vlerësojnë ndryshe pas debutimit në Europian. Ne ekipe si Spanja dhe Italia është logjike që do kesh problem, për më tepër me mënyrën e lojës që bëjmë ne. I shikoj gjërat e turbullta, pasi nga dita në ditë mund të ndodhin të papritura.

19-65

Temat
Sport

Të afërta