Veseli synon të riorganizoj PDK-në, e nisi me Prizren

Kryetari i ri i PDK-së, Kadri Veseli, e ka marrë me më shumë seriozitet se që shumëkush ka pritur udhëheqjen e këtij subjekti politik.

Prakticiteti politik, maturiteti si lider dhe përpjekja për të qenë sa më i drejtë dhe sa më korrekt si institucionalist, sidomos në raport me deputetët e opozitës, janë ato që e kanë karakterizuar më së shumti Veselin gjatë kësaj kohe.

Mbase për t’i thyer paragjykimet që ekzistonin për të e ka ndjekur një vijë politike “më korrekt se që ishte e nevojshme”, por Veseli deri më tani ia ka dalë shumë mirë që të menaxhoi me shumë procese ku vetë ka qenë e nevojshme të tregoi lidershipin e duhur, pa u trembur nga konsekuencat politike apo pa u dhënë pas interesave partiake.

Edhe me ndryshimet e fundit në qeverisjen lokale të Prizrenit, Veseli e dëshmoi seriozitetin e tij me të cilin ka nisur të udhëheq me PDK-në.

Me pak kohë në krye të PDK-së, ndonëse situata politike në vend ishte më e tensionuar se asnjëherë më parë dhe jonormaliteti buronte nga Kuvendi i udhëhequr prej tij, nëse shikohet në mënyrë analitike, Veseli ka bërë lëvizje mjaft domethënëse edhe brenda PDK-së.

Gjatë kësaj kohe, ai shfaqi gatishmëri me vepra që t’u krijoi hapësirë më të madhe të rinjve dhe gjinisë femërore.

Për Ministre të Drejtësisë emëroi një grua të re, kurse nënkryetar për çështje organizative në PDK emëroi gjithashtu një të ri tjetër.

Prizreni, këto ditë, kryekëput me iniciativën e tij pësoi ndryshime rrënjësore në strukturën e qeverisjes, e cila mbetet për t’u dëshmuar nëse do të qeveris me mirë apo jo se ajo e kaluara.

Por, si veprim politik gjithsesi që meriton vlerësimin dhe vëmendjen e duhur, sepse nuk ka ndodhur asnjëherë më parë.

Gjithashtu, së fundmi, për të mobilizuar rininë e këtij subjekti politik, ai organizoi kamping dhe iu bashkua rreth 150 të rinjve të PDK-së që po kalonin fundjavën në Jale të Shqipërisë.

Sigurisht se këto janë veprime politike, që për momentin më shumë kanë simbolikë, se domethënie. Por, edhe vetëm si simbolikë, me sjellje politike të matur Veseli po dëshmon që mund të jetë reformatori i PDK-së.

Mbetet të shihet nëse do të arrijë të dëshmohet edhe si partner i mirë politik, pasojë nga e cila ka vuajtur gjithnjë PDK-ja në të kaluarën. /Indeksonline/

Temat
LajmeVend

Të afërta