Kapet në Fushë Kosovë hajni që vodhi makinën në Vushtrri

Njësitet e Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicë kanë arritur që ta kapin një hajn të veturave.

Fillimisht, me datën 12 gusht 2016, në mbrëmje rreth orës 22:05, në Vushtrri ishte raportuar rasti i veprës penale ‘vjedhje e veturës’, e llojit Mercedes. Rasti kishte ndodhur në rrugën “Gjergj Fishta’’ në Vushtrri.

Veprimet policore në kërkim të veturës së vjedhur kishin nisur menjëherë, ku ishte bërë shpërndarja e të dhënave të veturës së vjedhur në tërë vendin.

“Bazuar në një informacion të pranuar lidhur me veturën e vjedhur me datën 15 gusht 2016, njësia policore në kuadër të stacionit policor në Fushë Kosovë, mbi dyshime të arsyeshme ka arritur që të lokalizojë zonën ku dyshohej se ndodhej vetura e vjedhur, ku në bashkëpunim me hetuesit e stacionit policor në Vushtrri, ishte vërtetuar se vetura në fjalë ishte e njëjta e cila ishte raportuar e vjedhur me datën 12 gusht 2016, në Vushtrri”, ka bërë të ditur Policia.

Me këtë rast, sipas organeve të rendit, është identifikuar dhe arrestuar personi i dyshuar L. H., 52 vjeçar, ndaj të cilit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Pas procedurave të verifikimit faktik, vetura në fjalë i është kthyer viktimës (pronarit).

Temat
LajmeVend

Të afërta