Valon Murtezaj – Shpend Ahmetit: Nuk strukemi, shfaqemi aty ku duhet

Valon Murtezaj, zëvendës i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe zyrtar i LDK-së i është përgjigjur kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmetit.

Murtezaj përmes një statusi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se LDK asnjëherë nuk është strukur, por sipas tij ajo është paraqitur aty ku ka qenë e nevojshme, shkruan lajmi.net.

Sipas tij institucionet duhet të jenë të pavarura dhe nuk duhet të kenë ndikim nga politika, por e gjithë kjo është duke u zhvilluar me vështirësi është shprehur Murtezaj.

“Si rrjedhim, si logjikë e mendimit dhe veprimit dhe kërkesave të papjekura, do të duhet të hiqej nga mentaliteti i secilit politikan, qofshin ata të vjetër, të ri apo adoleshent, në secilin formacion politik”.

Ky është postimi i plotë i Valon Murtezajt:

“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk struket (edhe pse dikush mund ta dëshirojë atë); por kur është nevoja LDK-ja duket.

Institucionet, në Kosovën demokratike, që po ndërtohet me shumë vështirësi për fat të keq, janë dhe duhet të jenë të pavarura. Kjo është esenciale dhe bazament i shtetësisë në të ardhmen.

Instalimi i një logjike të ndikimit të sistemit të drejtësisë, për ta luftuar logjikën tjetër të ndikimit të sistemit te drejtësisë, jo vetëm që është non-sens, por është anti-ligjore.

Si rrjedhim, si logjikë e mendimit dhe veprimit dhe kërkesave të papjekura, do të duhet të hiqej nga mentaliteti i secilit politikan, qofshin ata të vjetër, të ri apo adoleshent, në secilin formacion politik.

Prandaj, si sjelljet që kanë ndodhur në të kaluarën me sistemin e drejtësisë, poashtu edhe kërkesat për ‘mos të qëndruar strukur’ janë sjellje që e lëndojnë shpresën për Kosovën.

Lidhja Demokratike e Kosoves si organizim politik më i vjetër në Kosovë, nuk është e strukur, por në këtë logjikë, është më e bukur në krahasim me partitë tjera në Kosovë”, shkruan ai. /Lajmi.net/

Temat
LajmeVend

Të afërta