Komuna e Gjilanit dënon dëmtimin e objektit të xhamisë në fshatin Velekincë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka dënuar rastin e dëmtimit të objektit të xhamisë në fshatin Velekincë, nga një banorë i etnicitetit serb, i cili deri më tani nuk dihet se me çfarë motive e ka kryer veprën edhe pse sipas dyshimeve të para të policisë, i dyshuari ka probleme psiqike.

Kryetari Lutfi Haziri, në komunikimin publik, ka falënderuar Policinë e Kosovës të Komunës së Gjilanit, për aksionin e kryer me sukses në parandalim dhe arrestimin e të dyshuarit, sikur që ka falënderuar edhe kryetarin e Bashkësisë Islame, Naim Aliu, imamin e xhamisë, Remzi Halimi dhe banorët e Velekincës, thuhet në njoftimin e komunës së Gjilanit.

“Rasti që ka ndoshur në fshatin Velekincë në dëmtimin e kupolës së xhamisë, është një rast që Komuna e Gjilanit e dënon ashpër, sepse raste të tilla nuk i shërbejnë aspak klimës së krijuar për shumë vite në sigurinë publike në Gjilan. Me këtë rast falënderoj Policinë e Kosovës, të gjitha njësitet që kanë intervenuar në këtë rast, për profesionalizmin e treguar dhe për rikthimin e gjendjes nën kontroll dhe krijimin e sigurisë për qytetarët e këtij fshati. Poashtu përkushtimi dhe sjellja e lartë qytetare e civilizuese e kryetarit të Bashkësisë Islame, Naim Aliu, e imamit të xhamisë Remzi Halimi dhe e bashkëpunëtorëve të tjerë, por edhe e banorëve, është për t’u falënderuar, në këto momente të vështira për fshatin dhe për Gjilanin në përgjithësi”, ka thënë kryetari Haziri, duke apeluar për qetësi dhe gjakftohësi nga të gjithë qytetarët e Gjilanit.

Ndërsa, në njoftimin e shkurtër të komandantit të Stacionit Policopr në Gjilan, Remzi Azemi, thuhet se pas informatës së pranuar, Policia e Kosovës me njësitet e saja, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kryer punën profesionale për krijim të sigurisë. Është arrestuar një qytetarë i dyshuar, që është nga komuniteti serb, i cili sipas Azemit ka arritur që ta dëmtoj kupolën e xhamisë për motive ende të pa njohura. Azemi ka falënderuar të gjithë për bashkëpunimin, ndërsa ka bërë të ditur se prokurori ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe rasti është duke u hetuar. Ai ka falënderuar Policinë e Kosovës të gjitha njësitet intervenuese, e posaqërisht Njësinë Speciale të Stacionit të Gjilanit, për intervenimin profesional dhe arrestimin e të dyshuarit, i cili ka probleme psiqike.

Temat
LajmeVend

Të afërta