Javë më parë në fshatin Bibaj të Ferizajt, familja Qerimi humbi njërin nga familjarët e tyre, por pak kohë para se t’i jepnin lamtumirën e fundit, familja u përballë me diçka tejet shqetësuese dhe të padëshiruar për ta. Varri i të ndjerit i cili do të hapej nga punëtorët e Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, nuk u përfundua, pasi ata kishin lënë punën në gjysmë.
Si për habi për këtë rast, Këshilli i Bashkësisë Islame në Ferizaj, nuk po është në dijeni, megjithatë, BIK fajin e hodhi te Komuna, duke thënë se edhe përkundër që kanë nënshkruar marrëveshjen që BIK të merret me shërbimet e varrimit, Komuna e Ferizaj nuk i ka derdhur paratë në xhirollogarinë e BIK-ut.
Nuk ishte vetëm ky problemi, sekretari i këtij këshilli, Lutfi Halili tha se edhe pagesa prej 30 eurove punëtorëve po iu duket pak.
Ai pranon se me rast të ngjashëm u përballë edhe me 12 gusht, ditë e premte, kur i zoti i shtëpisë që kishte rast vdekje, u detyrua të paguaj sepse punëtorët ishin të pakënaqur me 30 euro.
Për të njëjtin shërbim ata po paguhen edhe nga komuna, përmes marrëveshjes të nënshkruar.
“Bile sot e kemi pas të njëjtin rast….erdha unë prej varrimit dhe kur i thamë atyre punëtorëve me hap varrin nuk kanë pranuar, duke thënë se 30 euro është pak dhe ne duam ende para, prandaj, edhe ai personi i cili kishte rastin e vdekjes është detyruar që t’i jap edhe 10 euro për hapjen e varrit. Për rastin e parë unë nuk kam asnjë njohuri, dhe nuk di pse është bërë, ka filluar të hapet varri dhe nuk është hap”, tha ai.
Përkundër kësaj, ai po e arsyeton këtë gjest, duke thënë se shkak i mos hapjes së varrit janë paratë të cilat nuk i ka derdhur komuna në xhirollogarinë e BIK-ut.
“Besoj që shkaku janë mjetet financiare, ndoshta ka mundur me u lënë anash kjo punë, për ndryshe atë ditë që derdhen mjetet në xhirollogarinë e Këshillit të Bashkësisë Islame do t’i menaxhoj jo vetëm të qytetit por edhe të fshatit. Nëse fshati ka punëtor që i siguron vetë punëtor, ne do t’i paguajmë dhe nëse nuk ka, atëherë ne prej këtu do të i dërgojmë në fshatra dhe besoj që çdo gjë do të shkoj në rregull”, tha Halili.
Por kryetari i Komunës së Ferizaj, Muharrem Svarqa, tha se rreth tetë mijë euro për muajt paraprakë janë derdhur në xhirollogarinë bankare të Këshillit të Bashkësisë Islame, ashtu si ishte paraparë me marrëveshje.
“Ne tani më iu kemi paguar rreth 8 mijë euro shpenzime për muajt paraprak, ndërkaq kemi edhe një faturë që do ta përmbushim që nga dita e sotme për 18 mijë 500 euro, kjo do të thotë që të gjithë qytetarët përfitojnë nga kjo”, tha Svarqa.
Se a është në dijeni se puna e BIK nuk është kryer si duhur, ai tha se ka dëgjuar vetëm spekulime që mund të jetë edhe realitet.
“Spekulimet e ndryshme që vijnë tek ne mund të jenë edhe realitet por ne nuk kemi të dhëna se nuk po zbatohet ky vendim. Ndërkaq nëse nuk zbatohet ky vendim, ne jemi të shqetësuar teje mase nga kjo sepse gjitha mjetet duhet të shfrytëzohen sipas destinimit dhe qytetarët duhet të jenë në pozitë të barabartë”, tregoi Svarqa.
Ai paralajmëroi se në rast se nuk përfillet kjo marrëveshje, atëherë do të shkëpusin marrëveshjen për të kryer shërbimet e varrimit.
Megjithëkëtë të prekurit nga kjo situatë mbetën familjarët, posaçërisht djemtë e të ndjerit. Ata mbrapa kamerave e kanë quajtur të çuditshëm situatën, pasi që siç thanë asnjëherë nuk ishin përballë me diçka të tillë.
Derisa djemtë e tij, ende kishin dhimbjen e tyre, shqetësimin e tyre e tha kryetari i fshatit, Faton Haxhisalihu.
Haxhisalihu tregoi se deri kur është nënshkruar marrëveshja mes Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj dhe Komunës, banorët e fshatit Bibaj, me buxhetin e fshatit janë marrë me varrezat, e që asnjëherë nuk patën probleme.
“Rasti i parë që na ndodhi neve këtu, me punëtorët e Bashkësisë Islame që na dërguan neve këtu dhe nuk ishte i hapur varri. Kuptohet që për varrezat janë para masat por kur erdhëm ne këtu ishim duke falur xhenazen dhe e pamë që varri ishte i hapur vetëm në 50 përqindëshin që duhet të hapet. Ne bashkë me dashamirët dhe me miq, diku afër 45 minuta, unë i bërë një thirrje hoxhës që duhet të mbajë një fjalim më të gjatë sepse varrin e kanë lënë punëtorët e Bashkësisë Islame dhe nuk e kanë hapur me standardet dhe ashtu se si hapet varri”, tregoi Haxhisalihu.
I pari i fshatit të Bibaj, i bëri thirrje Bashkësisë Islame që këtë punë ta marrin me seriozitet.
Ndryshe, marrëveshja parasheh që shpenzimet prej 200 euro t’i mbulojë Komuna e Ferizaj.