Tahiri: Ura e Mitrovicës po lirohet pas 16 vjetësh

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka deklaruar se nesër fillojnë punimet për heqjen e barrikadës dhe revitalizimin e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Ajo ka bërë të ditur se punimet për këtë qëllim do të realizohen nga një kompani e kontraktuar nga ana Bashkimi Evropian.

Sipas një komunikate të Ministrisë, Tahiri ka thënë se plani për revitalizimin e urës, i përcaktuar me Marrëveshjen e Brukselit për këtë çështje i datës 25 gusht 2015, do të jetësohet me përpikëri dhe ura e Ibrit, do të mundësojë lëvizjen e plotë të lirë të njerëzve dhe automjeteve, ashtu siç ka qenë gjithnjë.

“Ura e Mitrovicës po lirohet pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh që nga përfundimi i luftës dhe se Qeveria e Kosovës vlerëson lartë angazhimin e Bashkimit Evropian për zbatimin e kësaj marrëveshje e cila do të lehtësoj jetën e qytetarëve në atë pjesë të vendit duke kontribuar në normalizimin e komunikimit dhe bashkëpunimit mes qytetarëve dhe gjithë komuniteteve, theksoi ministrja Tahiri.

Qeveria e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët e Mitrovicës dhe të Kosovës për kujdesin e treguar gjatë kësaj kohe të bllokadës një vjeçare të mosfillimit të punimeve dhe në të njëjtën kohë falënderon dy kryetarët e komunave, si dhe organet e sigurisë shtetërore të Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in, për kontributin në ruajtjen e rendit dhe qetësisë e cila duhet të vazhdojë si një vlerë e arritur me shumë mund e investime.

Ajo po ashtu bëri me dije se për detajet e fillimit të punimeve nesër, mediat duhet t’i drejtohen Zyrës së BE-së në Kosovë, e cila është e autorizuar për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. /KosovaPress/

Temat
LajmeVend

Të afërta