Rexhep Hoti pyet Veton Surroin: Si i grumbulluat 80 milionë € nën tiraninë e PDK-së?

Në një shkrim të tijin, Hoti përmend kundërthënie të shumta, siç i quan ai, të Surroit, të cilin e quan shpëtues në tentativë të ish Jugosllavisë.

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti ka ironizuar me publicistin Veton Surroi, që sipas tij godet shtetin nga vuajtjet e të cilit u pasurua.

Në një shkrim të tijin, Hoti përmend kundërthënie të shumta, siç i quan ai, të Surroit, të cilin e quan shpëtues në tentativë të ish Jugosllavisë, njofton Klan Kosova.

Më tutje ai kërkon të dijë se, për mijëra eurot që kompania e Surroit i merr nga reklamat e ndryshme nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, sa paguan tek kapësit e shtetit.

Shkrimi i plotë i Hotit:

A është Surroi tashmë ‘arketipi’ me diskurs të shembur jugosllav a vetëm një moraltredhur i kohës?!

«Në Kosovë nuk ka korrupsion, sepse korrupsion do të thotë të krijosh një avantazh politik a ekonomik duke dhënë ryshfet: por te ne janë pikërisht ata që e kanë kapur shtetin, ata të cilët ishte dashur të korruptoheshin, por nuk mund të korruptohen sepse e kanë kapur shtetin»…(këtë mund ta thotë për shembull dikush prej partisë së Sheshelit, fjala vjen);

«Ta akuzosh Amerikën se ka krijuar mafi, është pa kuptim. Njëjtë sikur është pa kuptim t’i akuzosh SHBA-të se kanë krijuar përbindëshin që po e udhëheq shtetin tonë»…(këtë mund ta thotë ndonjë analist i pavarur, fjala vjen;

«E shohim qartë se kur PDK merr pushtetin, ndalen vrasjet politike. Kapja e shtetit në Kosovë ka ndodhur nën mbikëqyrjen ndërkombëtare, sepse ata nuk mund të ndërtojnë institucione nëse nuk ndërtohen nga vendësit. Edhe fuqitë okupatore, në shembullin e Gjermanisë, është dashur të inkuadrojnë strukturë të fortë vendëse për të ndërtuar institucione demokratike»… (këtë mund ta thotë dikush nga shoqëria civile e Kosovës, që e ka qendrën edhe sot e këtë ditë në Beograd dhe që e ka krejt personale prej kohës së rinisë me ndonjërin prej ish-komandantëve të PDK-së, fjala vjen);

«Një lloj përmbysjeje do të ndodhë, shteti nuk mund të vazhdojë të jetë i kapur. Nuk ka më resurse në Kosovë për ta. Se shteti është i kapur, e ka vërtetuar edhe Kuvendi, e njëra prej formave për shkapje menduan se do të jetë Gjykata Speciale, por unë mendoj se kjo nuk është e mjaftueshme»…(këtë mund ta thotë ndonjë autor i paguar nga mafia serbo-ruse në ndonjë gazetë prestigjioze të Britanisë së Madhe, fjala vjen);

Për brezin e ri që nuk e njohin në thelb se kush ishte mendësia e filozofisë së pushtuesit serb, një shkollë e mirëfilltë e konsoliduar për njëqind vjet në Kosovë, atëherë, ata, këtë realitet të së kaluarës gjithmonë mund ta prekin gjallë duke u argëtuar me prodhimet e mendjes së z. Veton Surroi.

Mendimet e tij shpërthejnë si reliktet e dikurshme të monizmit, ndërsa flladi i Prizrenit i merr ato pa mëri, për t’i ekspozuar para qytetarisë me butësi, si një vlerë e rëndësishme e dokumentimit të prodhimit të një mendjeje të shkolluar prej pushtuesi serb gjatë sundimit në Kosovë.

Dhe njerëzit krejt befas e jetojnë ish-Jugosllavinë dhe heroin në tentim për shpëtimin e saj, z. Veton Surroi.

Por, Z. Surroi nuk i pëlqen t’i kujtojnë historinë të tjerët. Duke e dëshiruar më shpirt mbytjen e së kaluarës, jo rrallë e humbi mendimin në çast. E ndjen se diçka po shembet brenda pjesës së sipërme të shëndetit. Një avari e rastit, mendoi me vete, do të funksionojë sërish.

Aty për aty u rrek të argumentonte para gazetarit se Kosova është e kapur. Gjersa e kërkonte përqendrimin e pamjes që do të dukej sa më hijerëndë, si një vetëtimë iu shfaq Broja. Krejt çfarë pikasi për ato grimca kohe ishin pamjet e përthyera, që ngjanin me pamje ekranin kur nga jashtë era do ta ketë përplasur antenën. Ai nuk kishte kohë të mendonte këtë radhë për një defekt brenda kreut.

Nuk përmbahej. Megjithatë vazhdoi të fliste dhe gjersa e përcillte zërin e vet, sado që pështirosej nga niveli i shprehjes, prapë nuk e mbizotëron dot emocioni. Kundërthënie gjithandej. Pëshpërima e shfaqur te veshi i majtë si një zë fantazmë, e preu përfundimisht:

Ç’ishte ajo çmenduri, Z. Surroi, gjoja, mbi milionat e mbledhur prej goditjes së atdheut?! Çfarë mund të thoni për marrëzitë tjera mbi milionat e fituar prej fondeve të marra në emër të popullit të sakatosur?!

1.Surroi, a mund të na thoni se çfarë keni hequr nën tiraninë ndërkombëtare e të PDK-së derisa i keni grumbulluar mbi 80 milionë euro kapital?!
Sot, Z. Surroi, merrni me qindra mijëra euro në vite nga reklama publike dhe po aq nga institucionet ndërkombëtare?! Çfarë çmimi paguani për t’i realizuar këto të hyra nga të kapurit e shtetit?!

Atij iu bë sikur gazetari ia kishte parashtruar këto pyetje dhe ai e humbi sërish fillimin e mendimeve. S’mund të kem kaq shumë shthurje në vetëm kaq pak mendime. Nuk më besohet të kem një rrakatje kaq të madhe në prodhimin e mendimeve në vetëm katër paragrafë të mjerë.

Në përçartje mundohej ta kuptonte përse kishte aq shumë kundërthënie. U pajtua pa shprehur zemërim se nën çdo paragrafi mund të vihej një emër tjetër dhe secili ta prezantonte një mendim ndryshe.

Ai nuk e kuptoi ku e kishte humbur fillin e vijueshmërisë së mendimit. Nuk kuptoi përse i kishte mendimet të përlyera me gjak të njerëzve të pafajshëm. Aq më pak e kuptoi ikjen e tij në Beograd për ta kriminalizuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Për të mos e kuptuar nëse ndjente kërdi nga milionat që i kishte bërë prej zeros në shtetin e kapur, hodhi sytë nga Drenica. Prapë po prej atje e kishte marrë bukurinë e vetme që ia fisnikëronte shpirtin tutje Jugosllavisë kundërmuese.

Mjerimi s’ka fund për një kriminel të shkolluar, iu bë sikur i pëshpëriti dikush aty pranë. Unë s’kam të bëjë me të , tha me vete dhe i hoqi të gjitha mëkatet prej mendimeve të përgjakura.

Zhaurima e lumit përplasej nëpër gurë dhe ikte tutje, drejt Nënës Shqipëri, duke i përshëndetur prizrenasit me bukurinë e lashtësisë: Tungjatjeta shqiptarë!

Temat
LajmeVend

Të afërta