Lojërat tradicionale “Rugova 2016”, nesër në Kuçishtë të Pejës

Garat sportive mbahen në 7 disciplina: Hedhja e llastarit, ngjitja në shilor, gurapeshi, tërheqja e litarit, sharra e vekut, rrëzimi i duarve dhe mundje.

Lojërat tradicionale “Rugova 2016” mbahen nesër në fshatin rugovas Kuçishtë, rrethina e Pejës.

Hapja solemne bëhet në orën 11:00 me ngritjen e Flamurit dhe Himnin, për të vijuar me program artistik të rapsodëve e solistëve, ndërsa pasdite në axhendë është paraqitja e ansambleve nga të gjitha trojet etnike shqiptare me programet e tyre autoktone.

Garat sportive mbahen në 7 disciplina: Hedhja e llastarit, ngjitja në shilor, gurapeshi, tërheqja e litarit, sharra e vekut, rrëzimi i duarve dhe mundje.

“Lojërat tradicionale ‘Rugova 2016’ janë lojëra popullore, karakteristikë etnokulturore e trevës së Rugovës dhe prezantojnë shumëllojshmërinë e traditës, zakoneve dhe dokeve të kësaj treve malore e që në përmbajtje të tyre hyjnë sikurse lojërat e shkathtësive fizike e lojërat luftarake të burrave, ashtu edhe lojërat humoristike, lojërat dëfryese, këngët tradicionale, vallet popullore dhe ritet e ndryshme etnokulturore të kësaj treve të njohur shqiptare”, shprehen organizatorët.

Lojërat tradicionale në Rugovë, që ruajnë traditën kombëtare, kanë për qëllim edhe forcimin e identitetit te diaspores shqiptare, pjesëtarë të së cilës në këtë kohë pushimesh të verës vijnë edhe nga Amerika, vende të Evropës e të tjera të botës në Kosovë e trojet tjera etnike dhe janë pjesëmarrës.

Temat
LajmeVend

Të afërta