Kosova i vetmi shtet në regjion që nuk e ka sistemin e referimit

Sistemi i referimit të të sëmurëve nga shërbimet parësore dhe dytësore në QKUK tash e 17 vjet po konsiderohet si problematikë, për të cilën drejtori i Klinikës Emergjente, në Qendrën Klinike Universitare, Basri Lenjani qysh para gjashtë viteve ka bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë që ta rregullojë sistemin e referimit.

KosovaPress ka siguruar kërkesën të cilën e ka dërguar Klinika Emergjente në adresën e MSH, e për të cilën kërkesë kjo klinikë asnjëherë nuk mori një përgjigjeje, ashtu siç nuk kishte marrë përgjigjeje për projektin e autoambulancave ajrore.

Lidhur me kërkesën e sistemit të referimit KosovaPress ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë, ku zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti ka thënë se sistemi i referimit caktohet me ligjin për shëndetësinë, dhe se Ministria e Shëndetësisë vlerëson që ligji të respektohet. Ai thekson se sistemi i referimit do të rregullohet me implementimin e sigurimeve shëndetësore.

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani tha për KosovaPress se kërkesa për sistemin e referimit erdhi nga ballafaqimet dhe sfidat e shërbimeve emergjente nga tejngarkesa e shërbimi dhe pamundësia për t’i dalë zotë gjitha shërbimeve.

“Qysh nga viti 2010, në vazhdimësi 2012, 2013 e në vazhdimësi kam kërkuar që të paktën t’iu drejtohem akterëve kryesor për ta rregulluar sistemin e referimit…Unë iu kam drejtuar nivelit horizontal dhe vertik al, të paktën kam dhënë një ide, jo të pajtohen me idenë, kërkesën time, të fillojnë në krijimin apo harmonizimin e një udhëzimi administrativ për sistemin e referimit. Çka duhet të punoj niveli parësor, deri në cilin nivel mund ta mbajë pacientin dhe kur duhet ta dërgoj në Klinikën Emergjente. Po ashtu, edhe niveli dytësor, edhe niveli tretësor te sistemi i referimit brenda Klinikës Emergjente, asnjëherë nuk kam pas mbështetje, asnjëherë nuk kam pas përgjigje nga akterët relevantë dhe ne kemi ardhur në një gjendje të tillë të cilat fare nuk na takojnë në shërbimin emergjent mjekësor”, tha Lenjani.

Ai më tej shtoi se niveli dytësor pa ndonjë hezitim mund t’i dërgojë pacientët në Kliniken Emergjente, kur ka mungesë të kapaciteteve si ato në degën e neurokirurgjisë apo urologjisë.

Lenjani kërkon që Ministria e Shëndetësisë të reflektojë pozitivisht dhe të krijojë grupin punues, grup ky i cili do të fillonte përpilimin e udhëzimit administrativ, ku stafi mjekësor i cili dërgon pa ndonjë kriter të gjobitet.

“Përkundër kësaj unë edhe fal angazhimit tim po kërkoj që të paktën Ministria e Shëndetësisë duhet të reflektoj pozitivisht, të formoj grupin e punues nga gjithë akterët që të filloj përpilimin e udhëzimit administrativ dhe njerëzit apo stafi mjekësor i cili dërgon pa ndonjë kriter të gjobitet dhe në këtë mënyrë ne do ta ruajmë edhe gjendjen shëndetësore të të sëmurëve por edhe në këtë mënyrë do t’i ndihmojmë viktimës që të paktën të mos shpenzohet për ta dërguar nga qendrat më të larta, në Prishtinë sepse ato përveç që janë shpenzime të shtetit janë shpenzime edhe të buxhetit familjar”, theksoi Lenjani.

Lidhur me këtë zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti tha se sistem i referimit mund të bëhet, por që për numrin e referimeve të diskutojnë profesionistët e nivelit dytësor dhe tretësor.

“Duhet të respektohet me përpikëri ligji për shëndetësi, mjekët duhet t’i koordinojnë pacientët nga shërbimi ambulator që është shërbim i kujdesit parësor në kujdesin dytësor dhe tretësor…Kjo është temë e cila meriton një vëmendje më të madhe, ndoshta duhet diskutuar në nivele të vetë institucioneve shëndetësore. Sepse keni parasysh se me ligjin e ri të shëndetësisë, Klinika Emergjente është pjesë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës që bashkë me spitalet e përgjithshme janë pjesë e shërbimit spitalor dhe Klinko Universitar të Kosovës, do të thotë është mirë që profesionistët e nivelit dytësor dhe tretësor ta diskutojnë mes vete numrin e referimeve, të shohin se çfarë po bëjnë realisht dhe të parandalojnë për aq sa është e mundshme”, tha Hoti.

Megjithatë, Hoti tha se është evidente që ka një referim më shumë se sa që d uhet, por që zgjidhjen e sistemit të referimit ai e sheh vetëm tek implementimi i sigurimeve shëndetësore.

“Sidoqoftë është evidente që ka një referim më shumë se sa që duhet, mirëpo kjo çështje sigurisht që do të rregullohet edhe me implementimin e sigurimeve shëndetësore sepse kur të fillojnë sigurimet shëndetësore, puna e mjekut do të jetë shumë e lidhur me përformancën e tij dhe sigurisht një mjek i cili nuk i trajton pacientët por i referon për nivele tjera nuk do të mund të paguhet si një kolegë i tij i cili trajton praktikisht rastet”, tregoi Hoti.

Ndryshe, Kosova është i vetmi shtet në regjion i cili nuk e ka rregulluar sistemin e referimit. /Kp

Temat
LajmeVend

Të afërta