Gërvalla për Veselin: “Kty-ja, do punë tjera i zotëron mjeshtërisht”

Anëtarja e LDK-së, Donika Gërvalla, njëherësh kryetare e degës së LDK-së në Zvicër të cilën e konteston Isa Mustafa, duke iu referuar kreu Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka thënë se ai nuk i kupton hartat, por i zotëron disa punë të tjera mjeshtërisht.
Nuk ka specifikuar më shumë, në atë që e ka bërë si përgjigje ndaj kundërshtimit që deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi i kishte bërë Veselit pas një paraqitje në televizion.

“Profesor, nuk i din Kty-ja këto. Janë të tjera punë ato që ai i zotëron mjeshtërisht. Por pa merak, se edhe atyre do t’iu vijë koha. Drejtësia vonon, por nuk harron”, ka shkruar Gërvalla, duke shpërndarë pyetjen publike që Bulliqi i bëri Veselit.

Vetëm pak pas paraqitjes së Kadri Veselit në televizion, ku ndër të tjera ka thënë se më shumë është i prirë t’u besojë hartave dhe fakteve të miqve nga SHBA e Evropa, se sa atyre jugosllave, deputeti i zëshëm kundër mënyrës se si është shënjuar demarkacioni me Malin e Zi, Shpejtim Bulliqi, kishte thënë se ka një pyetje publike për kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

“Z. Veseli unë kam vetëm një pyetje publike për ju: ‘Cilat janë ato harta topografike 1:25000, kush i ka prodhuar dhe nga cili botues janë ato në të cilat komisioni i juaj e ka shënjuar kufirin e ri’. Ndërsa opinionit publik i bëjmë më dije se është shënjuar në po këto harta topografike të prodhuara nga Institutit Gjeografik Ushtarak të ish Jugosllavisë. Andaj kjo që thoni është pa ndonjë mbështetje sepse këtyre ju ka besuar edhe vetë komisioni i juaj!”, ka thënë Bulliqi, përcjell Koha.net.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në televizionin publik kishte thënë se pret që më 1 shtator çështja e demarkacionit me Malin e Zi të përfundojë.

“Unë pres që të kryhet më 1 shtator demarkacioni dhe nuk humbim asnjë metër. Është fakt real se ky është kufiri jonë”, ka thënë Veseli në transmetuesin publik.

Ai më tej ka thënë se mosratifikimi i demarkacionit do t’i prishte punë Kosovës dhe do t’i pengonte rrugën në drejtimin perëndimor.

Veseli përmendi argumentet e disa ekspertëve opozitarë në debatin e 3 gushtit, por siç tha ai, nuk është i prirë tu besojë hartave jugosllave dhe mendësisë jugosllave, por do t’i besojë Shteteve të Bashkuara, miqve evropianë dhe ekspertëve të komisionit shtetëror.

“Demarkacioni mes Kosovës dhe Malit të Zi do të kalojë. Duhet ta dimë vetëm një fakt se Kosova fiton shumë me këtë demarkacion kur ta miratojë. Ndërsa nëse nuk do të bëhej, e ardhmja është e panjohur. Ne duhet të bëjmë vendimmarrje historike më 1 shtator dhe t’i hapim perspektivë vendit për reforma dhe zhvillim ekonomik, për ta ndryshuar cilësinë e jetës”, tha Veseli.

Temat
LajmeVend

Të afërta