Xhaka, Shaqiri, Behrami e Januzaj, a do të luajnë për Kosovën?

Ende nuk dihet nëse futbollistët e disa prej Kombëtareve tjera evropiane do të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës.

Kanë mbetur më pak se një muaj deri në ndeshjen historike të Kosovës me Finlandën, e cila do të luhet në kuadër të Grupit I për kualifikime në Botërorin e vitit 2018.

Mirëpo, akoma asnjëri nga legjionarët tanë që luajnë për shtetet e tjera, nuk ka konfirmuar se do t’i bashkohet ekipit të Kosovës. Lojtarët kryesor nga të cilët i ka kthyer sytë jo vetëm FFK-ja, por e gjithë Kosova, janë Granit Xhaka, Valon Behrami, Xherdan Shaqiri e Adnan Januzaj.

Veriu.info ka kontaktuar me babain e Granitit, Ragip Xhakën, por ai nuk ka pranuar të jap një përgjigje definitive se a do të luaj Graniti për Kosovën. “Nuk dua të flas për këtë temë”, ka thënë fillimisht Ragip Xhaka.

Mirëpo, pas krahasimi të djalit të tij me Majlinda Kelmendin dhe ofertat milionëshe që ajo i kishte pasur, dhe para 4 vitesh në Lojërat Olimpike përfaqësoj Shqipërinë, por posa u pranua Kosova ne KON ajo menjëherë kishte vendosur që ta përfaqësoj Kosovën, ai përgjigjet kështu: “Çka ka lidhje Majlinda Kelmendi me Granitin e Taulantin. S’du me bisedu për gjendjen as të Granitit e as të Taulantit” ka thënë ai.

Një prej lojtarëve që më së shumti vite më parë ishte akuzuar për mos bashkim me kombëtaren e Shqipërisë, është edhe mitrovicasi Valon Behrami.

Veriu.info ka kontaktuar edhe me babain e Valonit, Ragip Behramin, i cili ka treguar se gjendet në Londër, por ka thënë se për momentin nuk ka asnjë informacion për çështjen në fjalë.

Njëjtë është përgjigjur edhe Muhedin Januzaj, axha i Adnan Januzajt, i cili në një prononcim për Veriu.info ka thënë se për momentin Adnani është shumë i zënë dhe nuk mund të jap asnjë përgjigje, me ç’rast ka thënë se as babai i Adnanit nuk është i gatshëm të flas për këtë. Veriu.info ka tentuar të kontaktoj edhe me Xherdan Shaqirin, por ka qenë e pamundur.

Në anën tjetër, trajneri i Kosovës, Albert Bunjaki, ka konfirmuar se është në proces për çështjen e sjelljes së këtyre lojtarëve në ekipin e Kosovës, por nuk ka dhënë më shumë informacione. “Meqë jam në mes të procesit, nuk preferoj të dalë me informim tani”, ka thënë shkurt Bunjaki.

Në deklarimet e tyre të fundit, njohësit e futbollit në Kosovë janë optimist se Kosova mund te kualifikohet për Kampionatin Botëror 2018 nëse arrin ta kompletoj ekipin e ëndrrave, si: Etrit Berisha ose Samir Ujkani, Taulant Xhaka, Lorik Cana, Loret Sadiku, Adnan Januzaj, Almen Abdi, Granit Xhaka, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Xherdan Shaqiri, Shani Tarashaj. Mirëpo, thonë që nëse këta lojtar refuzojnë Kosovën, atëherë gjasat e Kosovës për kualifikim në Kampionatin Botëror janë të paarritshme dhe kjo do të ishte thikë pas shpinës nga yjet e saj.

Se cilën rrugë do ta marrin yjet tona te futbollit, të afirmimit apo mohimit të Kosovës, ditët në vijim do të jenë përcaktuese.

Duhet të përmendet fakti se ish presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i kishte dekoruar Adnan Januzajn, Granit Xhakën, Valon Behramin dhe Xherdan Shaqirin si Ambasadorë Nderi të Kosovës. Mirëpo, a do të jenë edhe ambasador në fushë, kjo mbetet të shihet në ditët e ardhshme.

Temat
Sport

Të afërta