Shoqata e Invalidëve kërkon mjete financiare për proteza

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, me të cilët biseduan për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit dhe përkrahjes për këtë shoqatë.

Në një njoftim për media thuhet se, Abrashi ka theksuar se do të mundohet të jenë afër kësaj kategorie të ndjeshme në përkrahjen e kërkesave të tyre për rehabilitim sipas mundësive buxhetore.

Në anën tjetër, kryetari i shoqatës, Fadil Shurdha kërkoi nga Ministria që të përkrahë edhe këtë vit programet për rehabilitim, të prezantuara nga shoqata, si dhe të shikojë mundësinë për financimin apo sigurimin e mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës për realizimin e projektit për protezat e invalidëve të luftës.

Ministri Abrashi dhe përfaqësuesit e Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së, biseduan për mundësinë e krijimit të një komisioni të përbashkët, ku do të përfshiheshin përfaqësuesit e të gjitha shoqatave dhe institucioneve qeveritare të linjës që do të merren me shqyrtimin dhe analizimin e tërë pakos ligjore të përfituesve të skemave pensionale që përfitojnë nga shtet.

Po ashtu u pajtuan që të fillojë implementimi dhe zbatimi i rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm.

Temat
LajmeVend

Të afërta