Korrupsionin duhet luftuar të gjithë

Qytetarët duhet të paguajnë taksat nëse duan që shteti të funksionojë, pra duhet ndryshim psikologjik tek qytetarët, ngase janë mësuar të udhëhiqen nga pushtuesit dhe kanë qenë të detyruar të mos paguajnë taksa.

Kështu u tha në edicionin e XV të DokuFest, një panel diskutimi për mungesën e përkushtimit dhe gatishmërisë nga ana e institucioneve për të luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe krimin e organizuar, raporton lajmi.net

Aty morën pjesë ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, prokurorë amerikanë, gazetarë britanik, shoqëri civile e shumë të tjerë.

U tha se korrupsion ka në çdo shtet të botës, madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por se mënyra se si luftohet dhe çfarë duhet bërë dallon shumë.

Gazetari dhe novelisti britanik, Adam LeBor tha se qytetarët janë qeverisur nga dikush tjetër, në Ballkan, pra kanë qenë të detyruar të mos paguajnë taksat, ta dështojnë shtetin, që të mos e kenë armikun, por, sipas tij, qytetarët duhet ta bëjnë këtë ndryshim psikologjik, të paguajnë taksat, ngase kjo është mënyrë e korrupsionit.

Ai vlerëson se shteti nuk duhet privuar nga të hyrat, e kështu sipas tij, mund të kërkohet më shumë llogari nga ata që qeverisin.

“Shmangia e tatimeve mund të jetë e ligjshme kur i dërgon ata jashtë vendit kur janë taksat më të ulëta, por i deklaron ato, ky është rasti i Panamasë, mund të jetë shmangie në vendin e origjinës, por jo në shtetin ku i dërgon. Evazioni tatimor është një tjetër gjë, nëse e bënë të njëjtën gjë por nuk deklaron asgjë, dhe vetëm bënë pagesa e jashtë kanaleve”, thotë LeBor.

Ai vlerëson se fuqia e SHBA-ve është shumë e madhe në Kosovë, e sipas tij, kështu do të jetë edhe gjatë.

Ndërsa, ambasadori amerikan, Greg Delawie që nuk ishte në panel, mori fjalën dhe tha se po përpiqen të kontribuojnë në sundimin e ligjit, edhe për ndjekje penale e për parandalimin e rasteve kriminale.

“Është mirë të ndiqen penalisht kriminelët por edhe më mirë që të parandalohen ata të bëhen kriminel”, tha Delawie.

Ai ka pyetur kosovarët e pranishëm se çfarë duhet bërë Amerika për të ndihmuar në ndjekjen penale dhe në parandalimin e krimit në Kosovë.

Ndërsa, Eric Gibson nga Departamenti amerikanë për drejtësi ka thënë se një nga vështirësitë në Kosovë, është gjurmimi i rrjedhës së parave si rezultat i aktiviteteve korruptive.

“Duhet të jeni në gjendje të ndiqni paratë, nuk duhet të lëvizin lehtësisht ato, të shkojnë jashtë vendit”, thotë Gibson.

Ai thotë se mediat kanë rol tepër të rëndësishëm në zbulimin e korrupsionit, duke bërë kështu që të vazhdohet puna nga prokurorët.

Gibson tha se vështirë të zbardhen rastet e mitos, ndryshe nga veprat penale, por që sipas tij, duhet secili të kryej punën e tij dhe të kundërshtoj korrupsionin.

“Varet kë e ndjek penalisht, varet në cilin nivel është personi. Nëse ne ndjekim penalisht dikë më post të lartë na bënë mirë, por kur dështojmë në ndonjë të tillë për ne është shumë e dëmshme si prokurorë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, ne synojmë që të gjithë si dërgojmë para Gjykatës”, thotë ai.

Në këtë panel u dhanë vlerësime se duhet të ketë qeverisje të drejtë dhe ndëshkueshmëri, e për këtë duhet kontribuojnë të gjithë.

Temat
Vend

Të afërta