Njerëzit (sidomos udhëheqësit) e asaj bote sikur nuk kanë“nevojë” për demokraci e ligje demokratike, kur i kanë për merak ligjet e Mesjetës së hershme (që ua kanë dhënë pushtetin e pakufishëm) dhe mënyrën mesjetare të jetës, që kolltukët vazhdojnë t’ua ruajnë të paprekura përjetësisht. Përballja e se sotshmes me mënyrën arkaike të se djeshmes e shton agresivitetin ndaj gjithë të tjerëve, e sidomos brenda llojit e derdhë në mënyrë të pamëshirshme vrerin më të madh. A nuk po na ndodhë diçka e tillë edhe ne, shqiptarëve? Kur më lehtë komunikojmë me cilindo nga jashtë dhe armiqtë e deridjeshëm, e vështirë më njëri-tjetrin! Njëri-tjetrit ia dëshirojmë prangat, nënshtrimin e poshtërimin apo të përulemi para kundërshtarit të gjallë apo të vdekur!
Jakup Krasniqi ka analizuar ngjarjet e fundit në botën Islame dhe në shtetin turk duke theksuar që liderët e këtyre shteteve nuk kanë nevojë për ligjet demokratike por janë të prirur për sistemet e mbyllura mesjetare. Krasniqi gjithashtu shpreh se këto shtete nuk kanë nevojë për armiq të jashtëm për arsyen se kanë probleme serioze të brendshme.
SI PO SHIHET BOTA ISLAME SOT?
Nga Jakup Krasniqi
Përmbledhur në pak fjalë, bota islame sot mund të shihet edhe si një botë që nuk ka nevojë për armiq të jashtëm, se ka krijuar shumë armiq brenda vetvetes. Shiko zhvillimet nga Jemeni në Libi, në Irak, Siri, Pakistan, Afganistan e së fundi edhe në Turqi e vende të tjera afrikane. Shihni sa shumë armiqësi të brendshme! Vargje të pambarim të refugjatëve! Qytete e shtete të rrënuara deri në themel! Janë bërë sa të të dhembë edhe zemra e shpirti, të bëjnë për të qarë e vajtuar për fatet e atyre njerëzve dhe kombeve të mbytur në pashpresë e mjerim!
Njerëzit (sidomos udhëheqësit) e asaj bote sikur nuk kanë“nevojë” për demokraci e ligje demokratike, kur i kanë për merak ligjet e Mesjetës së hershme (që ua kanë dhënë pushtetin e pakufishëm) dhe mënyrën mesjetare të jetës, që kolltukët vazhdojnë t’ua ruajnë të paprekura përjetësisht. Përballja e se sotshmes me mënyrën arkaike të se djeshmes e shton agresivitetin ndaj gjithë të tjerëve, e sidomos brenda llojit e derdhë në mënyrë të pamëshirshme vrerin më të madh. A nuk po na ndodhë diçka e tillë edhe ne, shqiptarëve? Kur më lehtë komunikojmë me cilindo nga jashtë dhe armiqtë e deridjeshëm, e vështirë më njëri-tjetrin! Njëri-tjetrit ia dëshirojmë prangat, nënshtrimin e poshtërimin apo të përulemi para kundërshtarit të gjallë apo të vdekur!
Udhëheqësit e botës islamoarabe sikur nuk kanë“nevojë” për shumë institucione demokratike, ndarje pushtetesh e institucione të pavarura, krejt pushtetet i donë tek njëshi (krejt sikur te ne në Kosovë!), ju mjafton një mbret a sheik, që falin miliona dollarë nëpër botë për “miqësi” personale, e vëllezërve të fesë, të gjuhës e të kombit ua lënë mjerimin si zgjidhje të vetme!Udhëheqës që takohen me dreqin e të birin më me dëshirë sesa me vëllain e një gjuhe e gjaku! Udhëheqës që i kontrollojnë të gjitha pushtetet dhe të cilëve u nënshtrohen vullnetshëm të gjithë shtetasit pa dallim. Pikërisht ashtu si i dorëzohet pula këndezit! Me shpresën se një ditë do të bëhen të gjithë të pasur! Mbase kjo shpresë e kotë, është e shtrirë gjithandej nëpër botë në kohën tonë!
Njerëzit e botës islamoarabe nuk kanë nevojë për humanizmin brenda llojit, atë e kërkojnë në botën demokratike të të krishterëve dhe ajo po ua ofron një jetë të dinjitetshme, po ua hapë dyert për t’i ikur mjerimit që ka pllakosur familje të tëra. Shiko e analizo refugjatet arabë, ku ata kanë gjetur strehim. Shiko sa refugjatë ka përthithur bota islame (arabe) për vëllazëritë e gjakut a të fesë, në krahasim me Evropën demokratike. A nuk është kjo tregues se atje ka pak humanizëm. Edhe bota e krishtere, dikur i kishte këto probleme, mbase edhe më të mëdha, por sot është krejt ndryshe.
Ndoshta është më“mirë” që të lihen Lulët e vocërr të botës araboislame që ta jetojnë jetën sipas mënyrën së tyre të jetës, që të jetojnë botën e tyre, deri në një vetëdijesim pikërisht të njerëzve të asaj bote për progres e ndryshim! Deri te ndarja e pushtetit tokësor nga ai hyjnor. Ashtu siç ndodhi në tre shekujt e mesjetës së vonë në Evropë (vitet 1500-1800). Vite kur pushteti tokësor u nda njëherë e mirë nga pushteti i Kishës. Mbase edhe më shumë! Apo, ndoshta, pushtetarët e asaj bote ende nuk e kanë kapërcyer vitin 1500 dhe po vazhdojnë ta jetojnë mesjetën pa ua prishur askush tymin e duhanit!
Kjo botë ka nevojë për më shumë zhvillim, për më shumë dashuri njerëzore, drejtësi, vëllazëri e barazi, ka nevojë imediate për një Humanizëm të Ri brenda llojit.
Të besojmë e të shpresojmë se edhe për ata njerëz të mirë të asaj bote ka ardhur koha që ta kapërcejnë njëherë e mirë këtë Golgotë të egër!