Sejdiu: Po arrestohemi me urdhër politik

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Sejdiu, e ka cilësuar si politik, arrestimin e deputetit të partisë së tij Driton Çaushi, i cili hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës.

“Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdojnë të arrestohen me urdhra politikë. Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Kuvend, deputetin Driton Çaushi për shkak të aksionit të tij politik për ta ndalur procedimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi”, ka shkruar Sejdiu.

Ai ka paralajmëruar Qeverinë se nuk do të mund të kalojnë marrëveshjen e demarkacionit në Kuvend.

Reagimi i plotë:

Deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! vazhdojnë të arrestohen me urdhra politikë. Policia e Kosovës ka arrestuar sot në Kuvend, deputetin Driton Çaushi për shkak të aksionit të tij politik për ta ndalur procedimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Këto urdhra të përndjekjes politike për VETËVENDOSJE!-n po zbatohen në kohën e lulëzimit të krimit dhe korrupsionit nga Qeveria. Organet e Drejtësisë kanë shumë punë për të bërë. Ata do të duhej të hetonin vetë Komisionin e Murat Mehës që e ka propozuar këtë marrëveshje, aferën ‘Pronto’, ‘dosjen e shefave’, skandalin e pasaportave e shumë skandale të tjera.

Ne kërkojmë lirimin e menjëhershëm të deputetit Driton Çaushi. Poashtu, e paralajmërojmë qeverinë kuislinge që nuk mund të vazhdojë me kalimin e kësaj marrëveshjeje. Kosova nuk ka tokë për të falur, kurse verpimet e tyre nuk mund të na ndalin e as frikësojnë në mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të Republikës.

Temat
LajmeRajon

Të afërta