Historia e pabesueshme e Driton Kukës (Foto)

Driton Kuka ka një histori fantastike.

Driton Kuka dikur ishte një sportist i suksesshëm. Ëndërr e tij ishte të merrte pjesë në Olimpiadë, pasi i posedonte të gjitha cilësitë për ta shijuar këtë ndjenjë.

Mirëpo, edhe pse e kishte siguruar normën olimpike, xhudisti i atëhershëm pejan e kishte shikuar Olimpiadën e Barcelonës në vitin 1992 në shtëpi, pasi nuk kishte mundur të merrte pjesë për shkak të problemeve politike që e kishin kapluar Ballkanin në vitet e ’90-ta.

Atij i kishte mbetur merak medalja olimpike, pasi besonte fuqishëm se do të mundë ta fitonte një të tillë.

E tash, 24 vjet më vonë, ëndrra e tij u bë realitet. Jo si sportist, por si trajner Kuka arriti ta shijojë medaljen e artë olimpike falë paraqitjeve mbresëlënëse të Majlinda Kelmendit në Olimpiadën e Rios.

auto_Drtr1470739196

Puna e palodhshme e maestro Kukës i solli frytet e saj dhe xhudistja pejane ia solli Kosovës medaljen e parë olimpike, e madje të artën. Në këtë rast, lotët ishin të pashmangshëm.

“Sakrifica u shpagua. Lotët më të bukur të jetës sime”, ka thënë fillimisht Kuka. Ai e ka një urim special për krejt shqiptarët.

“Medalja e artë olimpike. E gëzofshim shqiptarët anembanë botës”, ka shtuar Kuka.

Ai e kishte shprehur emocionin që në ditën e parë kur me Majlindën dhe Nora Gjakovën ishin vendosur në fshatin olimpik.

“Miliarda persona do ta shohin se jemi të barabartë dhe të njëjtë me vendet tjera. Jam i lumtur që mund ta shoh dhe ta përjetoj këtë moment”, ka nënvizuar Kuka.

auto_Majlo21470739217

“Ëndrra ime më në fund u realizua. Si trajner është një nder i madh të jem në Rio”, ka përfunduar trajneri pejan.

Kuka kishte marrë pjesë me Majlindën edhe në Olimpiadën e Londrës, katër vjet më parë, duke e përfaqësuar Shqipërinë, por xhudistja pejane ishte eliminuar befasishëm mjaft herët.

Mirëpo ajo nuk e lëshoi mundësinë e dytë dhe jetësore, e cila i është dhënë falë punës katërvjeçare të bërë me trajnerin e saj Driton Kuka.

Prandaj, merita të mëdha për suksesin e jashtëzakonshëm të Majlindës ka edhe “Toni”, që konsiderohet si trajneri më i mirë shqiptar në histori.

auto_Maaaaaaa1470739236

Temat
BotëSport

Të afërta