Komunës dhe MI-së nuk u bëhet vonë për rrethrrotullimin e ‘taksirateve’ në Ferizaj

Ka disa javë që mediat raportojnë për aksidente të shumta që po ndodhin në rrethrrotullimin e njohur në magjistralen Prishtinë – Shkup, konkretisht në Komunën e Ferizajt. Mos sinjalizimi i rrethrrotullimit me shenjat përkatëse të komunikacionit dhe ndriçimi i paktë i kësaj pjese, është raportuar nga organet përgjegjëse dhe ekspertët e komunikacionit, të kenë qenë arsyet e shumë aksidenteve në këtë pikë.

Bile aksidentet në këtë pjesë, dalin të jenë problem serioz edhe për bizneset dhe banorët për rreth këtij rrethrrotullimi. Atyre disa herë u janë futur në hapësirat e tyre private, veturat e aksidentuara.

Banorët për rreth, kanë nisur ta quajnë këtë vend si “rrethrrotullimi i taksirateve”, ngase aty për gati çdo ditë ndodh të paktën nga një aksident.

E pabesueshme nga gjithë kjo situatë del të jetë arsyetimi i komunës, ata thonë se aksidentet në këtë pjesë po bëhen kryesisht nga njerëz që janë në ndikim të alkoolit. Ndërsa e gjuajnë ‘topin’ tek ministria e Infrastrukturës, të cilëve ata nuk i janë drejtuar as me një kërkesë me shkrim, për arsye të paditura deri tash. Ndodh të mos kenë pasur kohë, dhe deri sa ta gjejnë kohën, numri i aksidenteve në këtë pjesë kyçe që ndërlidh dy kryeqytetet Prishtinën dhe Shkupin, vazhdon të jetë i madh.

aksidentet
Dy javë me radhë, KosovaPress ka pritur përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës, të cilët nuk kanë kthyer asnjë lloj përgjigje për këtë temë, duke mos e dhënë të paktën as një “no comment”.

Deri tash, as Komuna e Ferizajt dhe as Ministria e Infrastrukturës, nuk kanë lëvizur në përmirësimin e kushteve të komunikacionit në këtë pjesë, edhe përkundër kërkesave me shkrim nga Policia dhe disa organizata të Shoqërisë Civile.

Këta të fundit, i thanë KosovaPress-it se në këtë rrethrrotullim problem kryesorë janë ndriçimi, i cili mungon, dhe sinjalizimi jo i mjaftueshëm.

Komuna e Ferizajt thotë se arsye e shumë aksidenteve po vijnë sidomos për shkak të mos respektimit të shenjave të komunikacionit. Madje, të aksidentuarit në këtë rrethrrotullim, sipas zyrtarëve të Komunës, dalin se po janë nën ndikim të alkoolit. Të paktën kështu e thotë zyrtari për Komunikacion në Komunën e Ferizajt, Arsim Aliu.

Aliu: Pjesëmarrësit që po aksidentohen janë nën ndikimin e alkoolit

“Sa i përket aksidenteve, unë i shoh disa arsye të tjera që po ndodhin këto aksidentet, se edhe ajo pjesë hynë në kuadër të zonës urbane të qytetit si zonë industriale , edhe ministria por edhe ne si komunë ndonjëherë kemi intervenuar në shpejtësinë e lëvizjes, kështu që në afërsi të rrethrrotullimit shpejtësia është e kufizuar 40 kmH. Aksidentet që po ndodhin zakonisht po ndodhin në kushtet e shikueshmërisë së kufizuar, mirëpo nuk është edhe një faktor i vetëm që rrethrrotullimi nuk është i ndriçuar që po shkaktohen aksidente, aty ka faktor të tjerë si tejkalimi i shpejtësisë dhe sigurisht pjesëmarrësit që po aksidentohen janë nën ndikimin alkoolit. Ne si komunë, jo me shkrim, por i kemi njoftuar ministrin e Infrastrukturës, pikërisht sektorin përgjegjës për sinjalizimin e rrugëve dhe ata nuk na kanë k thye diçka përgjigje konkrete”, tha Aliu

aksi

Ai gjithashtu tha se si komunë sigurisht që për sinjalizim vertikal dhe horizontal përgatisin masa me të cilin e planifikojnë shenjat, e të cilat do të vendosen në vitin e ardhshëm. I pyetur se çka do të ndërmarrin tani për tani, ai tha se shpresojnë që shumë shpejt MI do të vendos shenjat vertikale të komunikacionit dhe do të bëhet ndonjë zgjidhje që rrethrrotullimi të jetë i ndriçuar, e nëse nuk intervenojnë ata, Aliu tha se do ti shikojnë mundësit e komunës.

Ndërsa, togeri nga rajoni i Policisë në Ferizaj, Brahit Shatrolli tha se sa i përket rrethrrotullimit i cili lidh rrugën Vëllezërit Gërvalla me magjistralen, është një prej vendeve që ka regjistruar një numër të konsiderueshëm të aksidenteve edhe në vitin 2015 por edhe në vitin 2016.

“Në vitin 2016 kemi pasur 6 aksidente me lëndime edhe 6 me dëme materiale. Gjitha shtu edhe në vitin 2015 kemi pasur disa aksidente edhe me lëndime edhe me dëme materiale edhe më shqetësuese ka qenë ajo që në vitin 2015 në po të njëjtin vend kemi pasur një aksident ku ka humbur jetën një person. Nëse nisemi nga ajo se për çka na kanë ardhur këto aksidente, normalisht që nuk është sinjalizimi i mjaftueshëm, nuk ka qenë, e në fakt ditëve të fundit nuk është fare, për shkak se janë duke u kryer disa punime. Mirëpo para se të arrij te rrethi janë shenjat të cilat tregojnë kufizimin e shpejtësisë dhe afërsinë e udhëkryqit me rreth të rrumbullaket edhe shoferët të cilët nuk iu kanë përmbajt rregullave paraprake kanë ardhur deri tek aksidenti. Nga bisedat që kemi zhvillu ne me personat përgjegjës të drejtorive të rrugëve, ata na kanë premtuar që së shpejti do të sinjalizohet rrethi , me sinjalistik të mjaftueshme”, tha për KosovaPress, togeri Shatrolli.

Ai gjithashtu tha se si njësi e komunikacionit rajonal në Ferizaj kanë bërë shumë shkresa të cilat i kanë drejtuar në drejtorin e policisë së përgjithshme, dhe ata pastaj i kanë plasuar në ministrinë e Infrastrukturës lidhur me sinjalizimet e rrethit në fjalë, mirëpo deri më tani shihet që nuk janë kryer ato sinjalizime.

aksid

Në anën tjetër, edhe shoqëria civile janë mjaftë të shqetësuar për aksidentet që po ndodhin kohëve të fundit .Drejtori i organizatës Avonet ,Kenan Gashi tha se ky rrethrrotullim është ndër më të rrezikshmit në Kosovë.

Gashi: Një prej rrethrrotullimeve më të rrezikshëm

“Aktualisht është një prej rretheve më të rrezikshëm në regjionin e Ferizajt , ku mos të themi që çdo natë ndodhin aksidentet që kanë shkaktuar dëme dhe që shkaktojnë dëme, pos automjeteve të tyre por edhe këtyre bizneseve që janë përreth tyre. Ekspertet e komunikacionit kanë konstatuar dhe kanë vlerësuar që ky rreth nuk ka n driçim të mjaftueshëm dhe nuk përmban sinjalizues e cila të paralajmërojnë që ekziston një rreth i tillë dhe fatkeqësisht deri më tani nuk është bërë një ndërhyrje e tillë dhe nuk është përmirësuar gjendja. Aq më shumë kur e dimë që në këtë kohë, në këtë periudhë kemi mërgimtar të shumtë që kanë ardhur me automjete të tyre dhe që për fat të keq ata nuk e njohin terrenin dhe të njëjtën kohë nuk janë të njohur me problematiken të këtij rrethi që ekziston. Deri më tani nuk ka ndërhy asnjë prej institucioneve që duhet të merren me këtë problem”, tha Gashi

Ai gjithashtu tha se Avoneti ka vlerësuar që sa më shpejt duhet të ndërhyhet dhe të njëjtën kohë të sinjalizohet dhe të rritet ndriçimi në këtë lokalitet, sidomos për shkak të rëndësisë që ka në lidhjen e dy kryeqyteteve Prishtinë-Shkup.

Temat
LajmeRajonVend

Të afërta