Puçi në Turqi pakëson numrin e nxënësve në shkollat turke në Kosovë?

Ngjarjet e korrikut t në Turqi, që u cilësuan si puç ushtarak ndaj institucioneve të vendit, kanë rritur presionet e udhëheqësve turk ndaj shteteve mike për bllokim të institucioneve arsimore, që janë të lidhura me lëvizjen e Fetullah Gylen, FETO.

Kjo lëvizje, nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po konsiderohet fajtore për organizmin e puçit, tashmë të dështuar, në Turqi.

Në Kosovë janë disa institucione arsimore, që thuhet se prejardhjen e kanë nga donacionet e pasanikut turk që jeton në Pensilvania të Amerikës, Fetullah Gylen.

Mediat në Kosovë, po raportojnë se Turqia ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, mbylljen e këtyre shkollave.

Ndërkohë që ministri i Arsimit në Kosovë, Arsim Bajrami, i tha KosovaPress-it se një kërkesë e tillë zyrtarisht nuk ka ardhur ende në zyrën e tij.

“Ne nuk kemi pranuar asnjë kërkese ose rekomandim për mbylljen e këtyre institucioneve të arsimit në Kosovë”, ka thënë ministri Bajrami.

Temat
LajmeVend

Të afërta