Gashi dyshon se marrëveshja për demarkacion do të kalojë në Kuvend

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka kritika për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe mendon që si e tillë kjo marrëveshje vështirë se do të ratifikohet.

“Nuk jam tifoz i asnjërës palë, mirëpo po tentoj që të jem sa më racional. Ka një skepticizëm tek të gjitha grupet parlamentare dhe mendoj që do të jetë shumë vështirë të kaloj”.

“Deputeti së pari duhet të ruaj tërësinë territoriale të shtetit. Besoj që nënkuptohet se si do të votoja” ka thënë Gashi për Klan Kosova.

Në lidhje me organizimin e tryezës shkencore për çështjen e demarkacionit, Gashi ka vlerësuar që ka ofruar informacione të reja.

“Mendoj që kanë dalë shumë gjëra të rëndësishme, që as unë si deputet nuk i kam ditur, siç është marrëveshja paraprake e të dy komisioneve për caktimin e kritereve, ku u morr vesh që pala e Malit të Zi ka dhënë propozimet”.

“Shkelja e parë është bërë që nuk kanë marrë parasysh hartat topografike, gjë që ka kaluar tek kriteri kadastral që është i papranueshëm për shkak të kohës kur janë vendosur” ka thënë Gashi.

Deputeti Gashi ka kritika edhe për përbërjen e Komisionit të Kosovës për Demarkacionin me Malin e Zi.

“Mendoj që ka qenë një gabim strategjik i Kosovës. Pala malazeze ka qenë e udhëhequr nga një gjeneral, kurse ne kemi pasur udhëheqës një gjeodet”.

“Hartat topografike nuk janë marrë parasysh, ngaqë është thënë që janë të pasakta. Komisioni ka vazhduar me kriterin kadastral, e po të shohim hartat topografike kufiri do te ishte aty ku po pretendon opozita”.

Temat
LajmeVend

Të afërta