Thaçi: S’është në pyetje vetëm demarkacioni, por edhe aftësia e Kosovës për të funksionuar si shtet

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ishte i pari që foli në tryezën e sotme, ku po diskutohet për demarkacionin me Malin e Zi.

Ai në fillim të fjalimit të tij e vlerësoi lartiniciativën për të zhvilluar këtë debat, që Kuvendit të Kosovës, siç u shpreh presidenti Thaçi, por edhe tërë opinionit publik në Kosovë t’i prezantohen fakte rreth procesit të demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

“Shënjimi i kufijve është një nga kriteret kryesore të shtetësisë.Kjo është çështje e rëndësisë së veçantë për integritetin dhe sovranitetin territorial të shtetit tonë. Republika e Kosovës duhet të plotësojë këtë kriter dhe të bëjë përkufizim të qartë të territorit të saj me të gjitha vendet me të cilat kufizohet”, tha Thaçi.

Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, i themeluar në vitin 2012, sipas presidentit Thaçi, në pajtim me përgjegjësitë dhe kompetencat kushtetuese e ligjore ka përfunduar punën e shënjimit të kufirit shtetëror të Kosovës me Malin e Zi, transmeton lajmi.net

“Në këtë proces, Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë bërë marrëveshje për kufij të rinj, sepse në publik është keqinterpretuar kjo çështje, por vetëm i kanë shënjuar kufijtë ekzistues.Ky komision nuk ka pasur për qëllim të vendos në vend padrejtësitë historike të popullit shqiptar, por të shënojë në terren një kufi të pranuar tashmë ligjërisht si bazë e shtetit të Republikës së Kosovës”, tha presidenti Thaçi.

Ai theksoi se është i njëjti kufi në bazë të të cilit Kosova është njohur ndërkombëtarisht nga 112 shtete.

Është i njëjti kufi, sipas Thaçit, bazuar në të cilin jemi anëtarësuar në dhjetëra organizata ndërshtetërore, që kemi fituar gjyqin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe tash paguajmë edhe pjesën që na takon të borxheve jugosllave në FMN dhe Bankë Botërore.

Në vazhdim të fjalimit të tij, presidenti Thaçi ka thënë se komisioni shtetëror i demarkacionit në punën e bërë është konsultuar ngushtë edhe me aleatët tanë.

Rezultati i punës së komisionit, sipas tij,është konfirmuar si i saktë prej Departamentit Amerikan të Shtetit, pas kërkesës së bërë nga përfaqësues të opozitës për të dhënë një opinion, por edhe prej tre ekspertëve me reputacion ndërkombëtar, që erdhën me kërkesë të ish-presidentes Jahjaga.

“Shënjimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ka marrë mbështetje politike të drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan Barack Obama dhe nga sekretari i shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij në Prishtinë.

Procesi i demarkacionit është përshëndetur edhe nga institucionet dhe vendet e Bashkimit Evropian”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka shtuar se Mali i Zi është shtet aleat i Kosovës në orientimin gjeostrategjik.

“Ju ftoj që gjithnjë të keni parasysh se sot këtu nuk është në pyetje vetëm marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, por është në pyetje pjekuria politike e Kosovës.Aftësia për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare dhe për të qëndruar prapa obligimeve ndërkombëtare.Aftësia për të funksionuar si shtet dhe si anëtar i barabartë, por edhe i ndërgjegjshëm i bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, nuk është në pyetje vetëm demarkacioni me Malin e Zi dhe marrëdhënia jonë me këtë shtet, por edhe marrëdhënia jonë me aleatët dhe përkrahësit tanë nëpër botë.

“Me BE-në kemi arritur marrëdhënien e parë kontraktuale, MSA-në, dhe tani po presim edhe vendimin për liberalizimin e vizave.Prandaj, është qenësore të dëshmojnë se jemi palë që qëndron prapa obligimeve të veta ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Dhe mbi të gjitha, sipas presidentit Thaçi,është qenësore të dëshmojmë se në marrjen e vendimeve nisemi nga parimi i ligjshmërisë, i respektimit të ligjeve tona, Kushtetutës dhe të drejtës ndërkombëtare, e jonga interesat e ngushta politike, qofshin ato personale apo partiake.

Në fund të fjalimit të tij, Thaçi ka thënë se është thelbësore që Kosova të dëshmojë pjekurinë e vet politike dhe se është partner i ndërgjegjshëm dhe i besueshëm i aleatëve tanë.

“Si liderë politikë kemi për obligim që të dëshmojmë se në marrjen e vendimeve nisemi nga interesi i përgjithshëm i qytetarëve të Kosovës dheveprojmë për të mirën e Kosovës”, ka thënë Thaçi, i cili ftoj për një debat të mirëfilltë, duke e dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke ia respektuar argumentet njëri-tjetrit.

“Nga kjo varet shumë më shumë sesa vetëm demarkacioni me Malin e Zi”, përfundoi ai.

Temat
LajmeVend

Të afërta